Banka dhe zgjedhjet

Ilir Kaduku

Profesioni i bankierit është i shenjtë në familjen time. Gjyshi im ka punuar në “Banca Di Napoli” në kohën e regjimit “satrap” të Zogut. Babai im ka punuar për një kohë të gjatë derisa vdiq Drejtor i Bankës të Shqipërisë (Shkodër). Pas “çlirimit” të Shqipërisë (Mars 1993) dhe unë mezi prita të realizoj ëndrrën gjenetike. Fillova punë si Drejtor i Qendrës të Trainimit të Bankës të Shqipërisë. Por komunistët e rinj me të ardhur në pushtet pas revolucionit të kuq (Shtator 1997) m’a prenë ëndrrën në mes. Patriarku i sistemit bankar – financiar, Alkimisti Shkëlqim Cani dhe Këshilli Mbikëqyrës (xhaketat e kthyera të kohës së Qako Mihalit) vendosën largimin tim nga puna me motivacionin “freskim i vendit të punës”. Më zëvendësuan me ish-studenten time (mbesa e një ish-anëtari të Byrosë Politike). Për t’i freskuar kujtesën “shokëve qendrorë”, të BSH që “vikasin” për nenin 24/1 të përdorur nga qeverisja demokratike, i ftoj t’i referohen faktit se në periudhën ’93–’97, asnjë nëpunës i BSH nuk është hequr nga puna me këtë nen. Ndërsa kur erdhën “bankierët e kuq”  në krye të BSH, brenda një dite realizuan spastrimin masiv të 40 nëpunësve të Bankës së Shqipërisë me motivacionin politik. Akoma sot asnjë nga zyrtarët e Bankës Qendrore (shumica ish-studentë të mi) nuk ka marrë guximin të kërkojë falje publike për këtë genocid politik të ushtruar ndaj një grupi nëpunësish, gjynahi më i madh i të cilëve ishte të qenurit demokrat. Nga mora shkas të “zhgarravis” ca rreshta i inspiruar nga një intervistë e liderit aktual të financave shqiptare tek “Zëri i Amerikës”. Si një herë e një kohë kur nga kjo radio prisnim sinjalet për rrëzimin e regjimit komunist (që për fatin tonë të keq sot është gjallë dhe me pushtet të plotë ekonomik dhe politik), mendova se bankari do na sillte ndonjë direktivë nga “qendra”. Me sa arrita të kuptoj nga intervista çdo gjë në “mëmëdhe” shkonte vaj me përjashtim të faktit se atyre “të qendrës” u kishin dalur disa “cikërrima” me shifrat. Në të vërtetë shifrat flasin shumë kur pasqyrojnë realitetin, por më shumë është për t’u trembur faktit se çfarë fshihet pas tyre kur ato nuk janë të sakta. Shqiptarët janë familjarizuar me postulatet: deficiti buxhetor do reduktohet, inflacioni do të jetë stabël 2-4%, të ardhurat buxhetore do të rriten, papunësia do të jetë në nivelin 14%, ndërsa do të ruhet GDP 3%. Deri në ’90 komunistët çdo gjë e krahasonin me statistikat e kohës së Zogut, tani pasardhësit e tyre ideologjik dhe biologjik zhvillimin ekonomik e krahasojnë me kohën e Berishës. Nuk arrij të kuptoj se çfarë saktësie dhe  vërtetësie shkencore pritet nga statistikat shqiptare, kur pas 26 vitesh tranzicion nuk ekzistojnë dhe nuk rakordohen statistikat e llogarive kombëtare? Pa ekzistencën e llogarive kombëtare absolutisht çdo kalkulim, çdo dikutim është i pasaktë. Çfarë presim që INSTAT, si institucion shtetëror ekskluziv me varësi totale nga qeveria të publikojë shifra që tregojnë realitetin? Eshtë momenti i zgjidhjes reale të këtij problemi emergjent. Vetëm në këtë mënyrë mund të frenohen makinacionet abuzive të politikëbërësve në fshehjen e së vërtetës dhe në orientimin drejt politikave të gabuara ekonomke. Eshtë një fakt i pakontestueshëm që statistikat e servirura nuk rezultojnë nga një kalkulim i gjendjes reale të ekonomisë, por nga loja me shifrat që bëjnë zyrtarët politikë të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, me bekimin zyrtar të qeverisë shqiptare. Eshtë në nderin e politikëbërësve të çdo lloj spektri politik që të pranojnë se “hyneret” e tyre zënë fill në momentin kur u shpall në teori fitorja e nocionit kapitalist të zhvillimit ekonomik në Shqipëri. Rezultatet e dobëta të punës së Shqipërisë i kanë fillimet në ’91-shin me ndryshimet në sistem, të cilat erdhën si pasojë e rënies së sistemit social të transfertave automatike buxhetore. Një pohim i tillë është bërë me mjaft korrektesë nga Banka Botërore në raportin “Shqipëria, performancën më të dobët fiskale 2015”. Mjaft domethënës është fakti që gjatë periudhës së “invazionit të kuq” pushtetarët sa herë janë ndodhur para skandaleve potenciale teknikisht i janë referuar të dhënave të institucioneve ndërkombëtare, duke i konsideruar si “barka e shpëtimit”. Por ata harrojnë se tani e kanë kaluar cakun dhe nuk kanë partner në mashtrimet e tyre. Të mos harrojmë se bëhet fjalë për një korrupsion shtetëror që reflekton në një sëmundje endemike të sistemit, për të cilin uroj që të mos ketë bashkëpunëtorë të tjerë përveç autorëve (klika në fuqi ). Jemi dëshmitarë të debatit deri në fyerje mediatike në mes BSH, INSTAT dhe Ministrisë së Punës për numrin e të papunëve në Shqiperi. Po kështu dhe të “bufonadave” të krerëve të Ministrisë së Financave dhe BSH mbi shpenzimet qeveritare të 2016, etj, etj. Politikat ekonomike nuk janë abstrakte, por konkretizohen mbi një sistem kompleks sasior e cilësor agregatesh teknike. Nëse kemi të bëjmë me perceptim të gabuar të këtij sistemi të dhënash statistikore atëherë përfundimi dihet. Do përballemi me politika të gabuara.
Shkarazi bankari përmend dhe “sukseset” e Bankës Qendrore. Përmenden “arritjet” në politikën monetare, në stabilitetin makroekonomik, normat e interesit dhe për Bonot e Thesarit. Me sa arrita të kuptoj bankari në mënyrën e tij të njohur “enigmatike” i largohet impaktit të politikës shqiptare në funksionimin e institucioneve financiare e bankare.
Në teori Banka Qendrore mund të quhet e pavarur vetëm nëse respektohen realisht kornizat ligjore në raportet e saj me politikën dhe institucionet kushtetuese të Kuvendit Popullor. Këto raporte reale mund të realizohen vetëm nëse e gjithë veprimtaria e bankës mbështetet në tre kollona: përgjegjshmëria, pavarësia dhe transparenca. Nuk janë objekt i komentit tim “bëmat” e Alkimistit Cani në postin e Guvernatorit të BSH, aktualisht në stazh partie pranë Parlamentit shqiptar. Besoj se bankari dhe shqiptarët nuk e kanë harruar faktin se “naivi i lindur” Cani nuk dinte se ka inventar Thesari të shtetit në Krrabë (faturën e vjedhjes e paguan ca gomarë “hajdutë” dhe  pronarët e tyre). As vjedhjen 600 000 euro në daljen e kartmonedhës së re (faturën e pagoi zv/guvernatori Dhame Pica). As faktin se Cani është projektuesi dhe zbatuesi i ndërtimit të një sistemi unikal bankar, ku 95% të monopolit bankar e kanë të huajt. Ky bashkëautor dhe zbatues i teorisë së “portave të shqyera” në sistemin bankar, harron se vetëm rreth monumentit të Skënderbeut, në më pak se 500 metër katrorë sipërfaqe janë instaluar katër banka greke dhe një bankë “tepër e fuqishme” bullgare. Nuk jam partizan i nacionalizmit ekonomik, por jam kundër politikës ekonomike të “hanit pa porta”. Le t’i referohemi Italisë, një vend me një kulturë të vjetër liberale ekonomike. Italia ka 800 banka në sistem dhe kohët e fundit është bërë polemikë e madhe për blerjen e dy bankave italiane nga të huajt. Bëhet fjalë për blerjen e bankave “Bnl” dhe “Antonveneta” nga holandezet e Abn Amro dhe spanjollet e BBVA. Le të marrin pak shembull nga kolegu i tyre, Guvernatori i Bankës së Italisë, Z. Fazio në qëndrimin e tij për këtë problem. Eshtë mallëngjyes fakti që ky “Shvejk i bankave” gjithmonë ndodhet në vendin dhe kohën e gabuar, si dhe në rastin kur nuk dinte se po fluturonin nga Thesari i shtetit një shumë e vogël prej 7.34 miliardë lekë.
Objekt i komentit është: a ka impakt politika shqiptare në respektimin e pavarësisë së Bankës Qendrore? Bëhet fjalë për një teori të mirëfilltë politiko–ekonomike: për ndërhyrjen e politikës në ekonomi. Për të arritur një konkluzion për realitetin shqiptar do i referohemi Bankës së Shqipërisë. Nëse nisemi nga përkatësia politike e anëtarëve të Këshillit Mikëqyrës të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për pozicionimin e tyre të “egër” partiak. Pra është një problem i ezauruar. Një fakt i tillë në sensin praktik pasqyron pozicionin politik të këtij institucioni. Duke dashur t’i mbetemi besnik objektit të diskutimit, pretendoj se esencial është gjykimi për pozicionin e këtij institucioni, strategjia që ndjek dhe efektet në sistemin tonë ekonomik. Do i referohem fakteve të kohëve të fundit.
Këshilli Mbikëqyrës i BSH vendosi në mënyrë “historike”, ulja e normës bazë të interesit që do të zbatohet për marrëveshjet e riblerjes (REPO) në masën 1.25 (4 Maj 2016). Duhet të kemi parasysh se në vitin parazgjedhor kemi ndryshim të normës bazë të interesit (marrëveshja REPO) nga 1.75% (3 Shkurt) në 1,5% (6 Prill) deri që kemi arritur në këtë nivel që kemi edhe sot. Në radhë të parë është detyrë e politikëbërësve të BSH që të kalkulojnë në mënyrë shkencore masën reale të normës së interesit, duke mos lejuar bankat e nivelit të dytë (që për fatin tonë të keq janë të huaja) të pasurohen në mënyrë abuzive në kurriz të gjithë shqiptarëve. Ka ardhur koha që “shkencëtarët” e BSH të kuptojnë se nuk janë ato që nominojnë normat e interesit. Norma mesatare e ponderuar e interesit për çdo ankand si rregull duhet të përcaktohet nga ligji bazë i ekonomisë së tregut: kërkesë – oferte. Pra nga njëra anë kemi kërkesën e qeverisë për borxh dhe nga ana tjetër ofertën e “publikut” për të dhënë hua. Por absurdi në Shqipëri qëndron në faktin se “publiku” real është zëvendësuar me banka të nivelit të dytë. Ky “publik” i konvertuar në mënyrë diabolike në banka të nivelit të dytë kur japin hua (shtetit), natyrisht që do kërkojnë një normë më të lartë se kosto e parasë që do të ofertojnë. Mendoj se mbajtja e normave artificialisht të larta të interesit ka të bëjë kryesisht me mospjesëmarrjen e publikut real në ankande të bonove. Me publik real kuptoj individët dhe subjektet private, të cilët për fat të keq as nuk e njohin një mekanizëm të tillë. Në këtë moment është shumëdimensional roli i BSH në afrimin e këtyre aktorëve kyç të tregut dhe heqja dorë nga “diabolika” informatike. Një nga mënyrat me efikase të afrimit është lejimi i publikut real për pjesëmarrje falas në ankandet e Bonove të Thesarit. Si shembull mund të merret Banka e Italisë. E thënë shqip këtu kemi të bëjmë me “fajde” elektronike që përbën një fitim (vjedhje) të bankave të nivelit të dytë.
Publiku është fare i qartë për diferencën në vlerë absolute dhe relative ndërmjet interesit të repove të Bankës së Shqipërisë dhe interesit të Bonove të Thesarit të Shtetit shqiptar. I ftoj lexuesit t’i referohen situatave analoge në Itali dhe në gjithë eurozonën. E gjithë kjo është një borxh i “turpshëm” dhe i padrejtë në kurrizin e të gjithë shqiptarëve dhe një fitim i pa merituar i bankave të huaja. Nëse një arsyetim të tillë e zgjasim në mënyrë ekonometrike për periudha të gjata kohore na rezulton një humbje prej dhjetëra miliona euro e shtetit shqiptar dhe një grabitje elektronike e bankave të huaja në kurriz të qytetarit më të varfër të Europës. Nuk e di se sa i vret “ndërgjegja” politikëbërësit shqipfolës të BSH për situatën ku e kanë katandisur sistemin bankar. Nga e gjithë kjo “kuzhinë” elektronike e servirur nga Banka e Shqipërisë bazuar në një “terr” informatik, demagogjia punon vetëm në sensin diabolik: Banka e Shqipërisë nxjerr me “fitim” artificial një sistem bankar “të shëndoshë” në kurriz të shtetit, por në radhë të parë të qytetarëve shqiptarë. I referohem Guvernatorit aktual të BSH që në një nga “deklaratat” e tij e përkufizon sistemin bankar shqiptar me “fat”. Mendoj se fati i sistemit bankar dhe i politikëbërësve nuk qëndron këtu, por në pamundësinë e publikut për të kuptuar se çfarë luhet në kurrizin e tyre.
Se ç’kuptojnë me vendim “historik” historianët e BSH vetëm ata e dinë. Nëse duan të bëjnë historinë, s’duhet të harrojnë se vetëm në vitin zgjedhor 2005 është ndërmarrë pesë herë një nismë e tillë e në të gjitha rastet është quajtur vendim “historik”.  Për lexuesin e thjeshtë mund të sqaroj se në kushte normale arsyet kryesore që duhet të nxisin Bankën Qendrore në ndërmarrjen e një operacioni të tillë janë:
1. Mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe forcimi i lekut,
2. Prodhimi bujqësor i bollshëm,
3. Përdorimi eficent i të ardhurave nga privatizimet strategjike,
4. Mbështetja më e mirë e nevojave të ekonomisë për kreditim nga sistemi bankar,
5. Reduktim i problemeve energjetike,
6. Situata monetare dhe fiskale nën kontroll,
7. Shpenzimet qeveritare dhe deficiti buxhetor brenda parashikimeve.

P.S. Marrë nga interneti. Faqja e Bankës së Shqipërisë

Para se të analizojmë në mënyrë iterative bllok – skemën e mësipërme, shtroj pyetjen: është e përgjegjshme dhe transparente Banka Qendrore në ndërmarrjen e një operacioni të tillë financiar? A respekton në këtë rast Banka Qendrore dhe Guvernatori i saj, betimin e bërë për ruajtjen e pavarësisë dhe imunitetit të veprimtarisë së saj? Po mundohem të jap një përgjigje, e cila nuk pretendoj të jetë “përgjigje e artë”. Nga “Historia e PPSH” ose “Dhjata e Vjetër” e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH, kemi mësuar se kur merren vendime të tilla “historike” duhet të dimë nëse ka ardhur koha për ekzekutimin e tyre:
Vendimi “historik” është marrë më 30 Mars 2005. Mbështetur në eksperiencën botërore dhe nga teorinë bankare rezulton se operacione të tilla nuk ndërmerren në asnjë rast në prag të zgjedhjeve parlamentare (sidomos në vitin e fundit qeverisës). Na rezulton se vendimi “historik” i Bankës së Shqipërisë është ekzekutuar pikërisht në vitin parazgjedhor. Le të na japin ndonjë rast analog politikëbërësit e BSH, qoftë dhe nga fqinjët tanë të nderuar, me të cilët jemi në “garë” për integrim financiar në BE. Le t’i referohen Maqedonisë, Serbisë, Bosnjes pa tentuar drejt Turqisë, Rumanisë dhe Greqisë. Pse nuk marrin si sistem konvergjence qendrimin e Bankës Qendrore të Bullgarisë para zgjedhjeve parlamentare? Pra jemi dy vende analoge nën asistencën e vazhdueshme të FMN-së dhe Bankës Botërore. Nisur nga mungesa e integritetit, pozicioni jotransparent dhe i papërgjegjshëm i Bankës Qendrore, këto vendime kthehen nga vendime ekonomike në vendime “diabolike” politike. Një lëvizje e tillë e normave të interesit në prag të zgjedhjeve parlamentare bën që të stimulohet qeveria në fshehjen e shpenzimeve buxhetore pa pasur nevojë për “axhustime” nga Komisione Parlamentare të tipit “Brace”. Si rezultat bëhet e mundur që në sistemin makroekonomik të përfshihen shpenzime buxhetore “fine” pa përfshirjen e tyre në buxhetin e aprovuar nga Parlamenti ynë “i nderuar”. Pra bëhet fjalë për shpenzime të “padukshme” që në fakt shkojnë në miliona euro. Nëse “shokët e nderuar” politikëbërës kanë ndonjë pretendim për faktin e përmendur më sipër, ju jap të plotë skemën e plotë “diabolike” të situatës analoge të përdorur në zgjedhjet parlamentare 2001 deri në 2013. Këtu nuk bëhet fjalë për shfrytëzimin e fondeve publike në sensin e rritjes së pagave të buxhetorëve apo për “cikërrima” të tjera, por për fonde tepër të mëdha të cilat i rëndohen kurrizit të drobitur të taksapaguesve shqiptarë. Në kundërshtim me eksperiencat ekonomike bashkëkohore, qeveritë e korruptuara realizojnë një “disiplinë financiare” të programuar, pra shtrëngim i shpenzimeve dhe rritje e të ardhurave vetëm në dy vitet e para të pushtetit, lëshime në vitin e tretë dhe “prerje shiritash” në vitin e katërt. Në të njëjtën kohë këto lloj qeverish antikombëtare (siç është rasti i qeverisë aktuale), pa pasur nevojën e akteve normative për kërkimin e akteve normative shtesë nga Parlamenti dhe pa pasur nevojë për ndryshimin e ligjit të buxhetit të shtetit që sanksionon financim drejtpërdrejt nga Banka Qendrore në masën 1.5%, intrigojnë skema të tilla “diabolike”, siç është ajo e uljes së normave të interesit parazgjedhor. Në kuadrin e respektimit të pozicionit transparent të BSH dhe Ministrisë së Financave do ishte me vend që të publikoheshin nivelet e stokut të brendshëm, duke eliminuar rritjen e shpenzimeve korente dhe të investimeve përtej kufijve normativ. Një menaxhim “diabolik” i borxhit si efekt i pompozitetit elektoral do kishte pasoja katastrofike në stanjacionin e borxhit publik, me tendencë rritje në borxhin e brendshëm. Përbën një çudi fakti se asnjë parti politike nuk ka përfshirë në programin e saj kursimet publike dhe stabilitetin e borxhit. Po t’i referohemi situatës aktuale të borxhit publik na rezulton se shuma e akumuluar e borxhit publik që Shqipëria u detyrohet  bankave dhe vendeve të huaja tashmë ka kaluar vlerën e një miliard dollarëve. Rritja galopante e borxhit ka si pikë kritike tremujorin e fundit 2016 (73.4%). Do ishte në nderin e “shokëve qendrorë” të BSH që para se të kërkojnë binjakëzime utopike me Bundesbank apo Federal Reserve, të jenë transparente para shqiptarëve dhe të tregojnë se në çfarë borxhi i ka groposur qeverisja antikombëtare aktuale. Çdo shqiptar duhet të ketë parasysh që ky është një borxh të cilin do t’a paguajmë ne dhe fëmijët tanë. “Të mjerët” shqiptarë! Nëse nuk është e vërtetë atëherë të na tregojnë destinacionin e shpenzimit të parave të privatizimeve strategjike, e pasurive kombëtare të vendit më të varfër të Europës. Le të bëhen të paktën një herë të përgjegjshëm e të tregojnë se ku kanë përfunduar milionat e koncesioneve dhe drogës. E vetmja gjë e pasigurt për momentin është se cilit nga “qengjat e  kopesë” se koncesioneve skandaloze, Edi Protopapa (Rama) i ka “vënë syrin” për t’a bërë kurban elektoral. Eshtë për të ardhur keq për shqiptarët e thjeshtë, sepse gjithë kjo kakofoni socialiste bëhet nën slloganin “Mbro të ardhmen”. E përkthyer në shqip kjo do të thotë “Mbro të ardhmen, mbro vjedhjet tona”. E gjithë kjo maskaradë bëhet për çimentimin e pushtetit “të kuq” nëpërmjet manipulimit të politikës, mediave dhe biznesit. Strategjia e përdorimit të këtyre skemave diabolike është vënia në funksionim e të gjitha mekanizmave qeverisëse me qëllimin e përfshirjes së faktorëve më të rëndësishëm të jetës publike të vendit dhe të konvertimit të tyre në aleatë të qeveritarëve aktualë. Përdorimi “diabolik” i buxhetit të shtetit dhe përdorimi i parave të pista në këtë pragzgjedhje parlamentare është më evident se kurrë.  I këshilloj “shokët qendrorë” të Bankës së Shqipërisë që të jenë “syhapur” siç i ka mësuar Partia, sepse ortaku i tyre në këtë pazar është qeveria shqiptare, e cila është në “pole position” të të gjitha “hipodromeve” të Europës përsa i përket “galopit” të korrupsionit, kriminalitetit, drogës, prostitucionit, pastrimit të parave, kapjes së shtetit, informalitetit, etj, Për më tej çdokush është i lirë t’i referohet raporteve të FMN-së, Bankës Botërore, USAID, PNUD, etj. Të më ndjejnë “shokët qendrorë” të Bankës. Besoj se e kuptojnë se nuk ishte momenti për të ndërmarrë inisiativa të tilla “historike”.

Artikulli paraprakDy fjalë për një shkrimtar që vdiq…
Artikulli tjetërFaqja e pare