Banka e Lindës, lobim mafioz e aferë korruptive për NBG-në?

Shumë pikëpyetje ngrihen mbi përpjekjet e shtuara të Bankës ku bashkëshortja e Kryeministrit është anëtare e Bordit Drejtues të Abi Bank për blerjen e bankës tjetër NBG. Kush janë lobuesit e pushtetshëm dhe si është e mundur që një bankë e cila jep ofertë më të ulët të mund të blejë në tregun privat një tjetër bankë? Cilat janë interesat që po luhen dhe a është përfshirë edhe diplomacia në këtë aferë të bankës së vetme në vend e cila i ka ortakët të panjohur në parajsat fiskale.
Shitja e Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG) tek Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI Bank) do të finalizohet së shpejti. Burime të bankave thanë për “Monitor” se, marrëveshja pritet që të mbyllet brenda këtij viti.
Pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve, pritet që ajo të çohet për miratim tek Banka e Shqipërisë. Burime nga kjo e fundit thanë se, kërkesa nuk ka ardhur ende, por lanë të nënkuptohet se ata kanë në plan që ta miratojnë këtë transaksion, pasi ABI është një bankë me aktivitet të qëndrueshëm.
Në garë për të blerë NBG ishin edhe Banka e Parë e Investimeve (FiBank) dhe Eurosig. Që në fillim, ABI Bank mësohet se ishte e preferuar dhe lobimi ka qenë i madh për ta shpallur atë fituese, ndërsa Banka e Shqipërisë favorizonte Fibank, ndërsa Eurosig ishte jashtë loje, për shkak të mungesës së përvojës së sistemit bankar. Procesi zgjati disa muaj për shkak të çmimit të ulët të ofruar.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratat e fundit ka bërë thirrje që të bëhet kujdes me transaksionet bankare. Fondi theksoi “nevojën për vigjilencë të vazhdueshme dhe përmirësim të mjeteve të përgatitjeve për të përballuar krizën, veçanërisht në dritën e rritjes së ndërlidhjes në këtë sektor. Për të zbutur rreziqet ndaj stabilitetit bankar, kandidatët për licenca të reja bankare duhet të kenë përvojë të përshtatshme bankare dhe të shmangin konfliktet e interesit”. Por, burime nga Banka e Shqipërisë pohuan se, paralajmërimet e FMN-së kishin të bënin më shumë për institucionet jo bankare që kërkojnë të hyjnë në këtë treg.
NBG e Greqisë, që pas krizës së borxheve greke nxori në shitje filialet e saj të rajonit, si pjesë e planit për t’u ristrukturuar në linjë me rekomandimet e Bankës Qendrore Europiane. Në shitje është edhe Tirana Bank, pjesë e grupit bankar të Pireut, por edhe banka të tjera, ndaj vitit 2018 pritet të jetë aktiv në proceset e shit-blerjeve. Për këtë arsye, drejtuesit e NBG nxituan që të mbyllnin marrëveshjen brenda këtij viti.
Asetet e NBG Albania, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, ishin 40 miliardë lekë, ose 2.8% e totalit të sistemit bankar. Banka kishte gati 4% të stokut të huave dhe 2.6% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 9-mujorin ajo kishte deklaruar një humbje prej rreth 133 milionë lekësh.
Ndërsa asetet e Bankës Amerikane të Investimeve (ish-Crédit Agricole që në 2015-n u ble nga NCH Capital) ishin 2.81 miliardë lekë, ose 2.85% e totalit. Në këtë mënyrë, pas blerjes ABI do të ketë 5.65% të totalit të aseteve të sistemit bankar, duke u ngjitur në bankën e gjashtë më të madhe në sistem, pas BKT (27.8%), Raiffeisen (17%), Credins (12.06%), Intesa (11%), Societe (5.8%).
Pas shitjes së NBG dhe përthithjes së Bankës Veneto nga Intesa San Paolo, sistemi bankar do të ketë 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të këtij viti, teksa procesi i konsolidimit të sistemit pritet të vazhdojë me intensitet edhe vitin e ardhshëm.

Pikëpyetjet mbi bankën

Sistemi bankar në Shqipëri numëron 16 banka, por vetëm njëra prej tyre vjen nga kompani offshore. Ajo është Banka Amerikane e Investimeve, në bordin drejtues të së cilës pak muaj më parë u emërua bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama. Banka Amerikane e Investimeve përbën një risi të çuditshme në sistemin financiar shqiptar, e cila ka habitur jo pak ekspertët. Pronësia e saj është e pagjurmueshme, pasi kalon përmes parajsave fiskale. Të gjitha bankat e licencuara në Shqipëri zotërohen nga grupe të mirënjohura financiare kryesisht nga Europa Perëndimore. Pronësia e tyre është transparente dhe aksionerët që i zotërojnë janë të njohur publikisht. Por në rastin e ABI Bank, çuditërisht kjo traditë u thye, duke ngritur dyshime të forta edhe ligjore për licencimin e bankës në dhjetor të vitit 2015.

Pronësia e panjohur

Banka Amerikane e Investimeve zotërohet 100 për qind nga një fond financiar i quajtur Tranzit sh.p.k. Por ky i fundit, zotërohet nga 3 aksionerë, një shtetas shqiptar me emrin Andi Ballta dhe dy fonde të tjera, NCH Balkan Fund dhe New Century Holding. Të dy këto fonde, të cilat zotërojnë 70 për qind të Bankës Amerikane të Investimeve janë të regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Cayman. NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, pra në ishujt Cayman është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit shpk, New Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711. Askush nuk e di se kush qëndron pas NCH Balkan Fund dhe New Century Holdings, për shkak të sekretit që ofrojnë parajsat fiskale. Ky fakt ngre dyshime të forta. Kush qëndron pas Abi Bank dhe pse BSH pranoi të licencojë një bankë nga parajsat fiskale?

Kush janë ortakët dhe pastrimi parave?

Është një histori që nis nga shumë larg dhe që është e vështirë të kuptohet se ku po shkon. Në vitin 2014, Credite Agricole, si pasojë e një situate të rrënuar financiare, shiti filialin e saj shqiptar, të cilin e kishte blerë disa vjet më parë nga Emporiki, një banke greke e kontrolluar prej saj. Banka u ble nga kompania Tranzit shpk, e regjistruar në Shqipëri në vitin 2009 dhe e autorizuar nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar aktivitet financiar, leasing dhe faktoring, blerje kredish të këqia dhe veprime të tjera të ngjashme.
Tranzit shpk është në bashkëpronësi me nga 50 për qind të dy fondeve të investimit, NHC Balkan Fund L.P. dhe New Century Holdings XI L.P., të regjistruara në ishujt Cayman, çfarë e bën të pamundur njohjen e identitetit të pronarëve të fondeve.
Më 12 maj 2015, Tranzit firmosi marrëveshjen për blerjen e Credit Agricole. Në momentin e blerjes i gjithë kapitali i kompanisë ishte rreth 1.3 milionë euro, ndërsa ai i Credit Agricole gati 55 milionë euro. Nga bilancet e dorëzuara në QKR nga Tranzit ka deklaruar të ardhura rreth 300 mijë euro në vit. Menjëherë pas marrëveshjes, dy fondet në pronësi të Tranzit i shesin për një shumë prej 390 mijë euro 30 për qind të kuotave të tyre Andi Balltës, një shqiptar me pasaportë amerikane-administrator i Tranzit që nga themelimi.
Dy fondet aksionere të Tranzit janë të regjistruara në Gran Kaiman dhe administrohen të dyja nga NHC Capital Inc, një shoqëri amerikane administrimi kursimesh, në pronësi të dy kunetërve Moris Tabacinic dhe George Rohr. Të dy, hebrej amerikanë, morën pjesë në vitin 1991 në privatizimet e rëndësishme në Rusi dhe më pas ndërtuan një sistem fondesh të specializuara në Rusi dhe në vendet e Lindjes, të cilat administrohen direkt nga Moska. Sistemi deklaron se administron 25 fonde private me vlera të barabarta që veprojnë në gati të gjithë vendet e Lindjes, dhe që kontrollojnë të paktën dy banka në Ukrainë dhe Rumani, me një vlerë të përbashkët të aktiveve për të gjitha fondet e barabartë me 3,4 miliardë dollarë.
Edhe pse NHC Capital Inc është e regjistruar në entin rregullator financiar, SEC, si administrator i fondeve të investimit, por fondet dhe e gjithë struktura janë të regjistruara në Kaiman ose në ndonjë prej vendeve lindore, pra nuk i nënshtrohen kontrollit të autoriteteve amerikane.
Dega kryesore vepruese e NHC Capital Inc është në Moskë nën emrin NHC Capital Real Estate, që rezulton të jetë një lloj shoqërie e administrimit të kursimeve ruse, pra administron fonde investimesh dhe deklaron të paktën tre fonde të krijuara në fillim të viteve 2000 dhe tashmë të mbyllura, për një shumë të përgjithshme prej 1,8 miliardë dollarë. Shembujt e investimeve të realizuara nga fondet NHC, të paraqitura në faqen zyrtare, nuk duken të tilla që të justifikojnë vlerën lartë të deklaruar nga ato.

Exit mobile version