Banka e Shqipërisë kundër koncesioneve: Vendosni kufi, fatura ka arritur në…

Banka e Shqipërisë i sugjeron qeverisë të vendosë një kufi të sipërm lidhur me vlerën e vlerën totale të PPP-ve në raport me PBB-në në Ligjin Organik të Buxhetit.

Në opinionin mbi projektbuxhetin 2021, zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, theksoi se projektet e reja të PPP-ve duhet të miratohen brenda një kornize që mundëson vendosjen e prioriteteve lidhur me investimet publike.

Përdorimi masiv i kontratave të partneritetit publik-privat për financimin e investimeve të reja ka sjellë rritje të shpejtë të shpenzimeve buxhetore për pagesën e tyre dhe për vitin e ardhshëm kjo faturë parashikohet të arrijë në rreth 2.5% të shpenzimeve buxhetore totale.

Në opinion e saj për projektbuxhetin, Banka e Shqipërisë e ka vlerësuar si të arsyeshëm projeksionin optimist të qeverisë për rritje të të ardhurave buxhetore me 11%. Megjithatë, duke parë rreziqet e larta ndaj të cilave është e ekspozuar ekonomia, Banka e Shqipërisë ka kërkuar rritje të kontigjencës në buxhet ose identifikim paraprak të shpenzimeve jo-prioritare.

“Projeksionet tona të të ardhurave janë lehtësisht më të ulëta se projeksionet e Buxhetit. Po ashtu, pasiguria për të ardhmen si dhe rreziqet e shumta të kahut të poshtëm mund të prodhojnë surpriza negative në grumbullimin e të ardhurave. Për këtë arsye, ndonëse Projektbuxheti ka kontingjenca për amortizimin e tyre, Banka e Shqipërisë gjykon se realizimi i shpenzimeve të programuara duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndjekë në ritëm e në kohë nivelin e realizimit të të ardhurave. Në këtë drejtim, ne sugjerojmë se një hap pozitiv do të ishte rritja përtej niveleve aktuale e fondeve kontingjente në buxhet apo identifikimi paraprak i shpenzimeve jo-prioritare, realizimi i të cilave duhet të kushtëzohet me realizimin e nivelit të parashikuar të të ardhurave,” tha zv.guvernatorja Minxhozi.

Projektbuxheti 2021 bazohet në premisën e një rikuperimi gradual të ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm dhe projekton një deficit rreth nivelit 6.5% të PBB-së. Ky deficit pasqyron projektimin e një niveli relativisht të lartë investimesh publike, të parashikuara të arrijnë në nivelin 7.2% të PBB-së. Banka e Shqipërisë shprehet në favor të mbajtjes së shpenzimeve të larta publike për vitin e ardhshëm, si një stimul i domosdoshëm për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.

“Ruajtja e kahut lehtësues të politikës fiskale edhe gjatë vitit 2021 është – në rrethanat aktuale –konsistente me kombinimin optimal të politikave ekonomike. Investimet publike janë elementi potencialisht më efektiv i stimujve fiskalë. Krahas efektit pozitiv në afatin e shkurtër, – nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës – shtimi i investimeve publike ka ndikime pozitive dhe në rritjen e potencialit prodhues të vendit,” tha zj.Minxhozi.

Projektbuxheti i vitit 2021 parashikon një reduktim prej rreth dy pikësh përqindje të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, për ta zbritur atë rreth nivelit 78.6% në fund të vitit 2021. Në një aspekt kohor më afatgjatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen se ky nivel borxhi vijon të mbetet i lartë. Përballja me krizën e fundit ilustroi plotësisht rëndësinë që ka një nivel i ulët apo nën kontroll i borxhit publik.

“Reduktimi i borxhit publik duhet të jetë një objektiv primar i politikës tonë fiskale, si një instrument për uljen e kostove të financimit të sektorit publik dhe privat si dhe si një instrument garancie mbi ruajtjen e hapësirave të nevojshme fiskale për përballimin e goditjeve të ardhshme. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë përshëndet përfshirjen në Ligjin e Buxhetit të detyrimit për të krijuar suficite primare duke filluar nga viti 2023. Kjo është një masë e nevojshme për rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike në afatin e gjatë. Konsolidimi i politikës fiskale duhet të fillojë në momentin më të parë të përshtatshëm që mundëson kristalizimi i qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike dhe ecuria e primeve të rrezikut në tregjet financiare,” tha zv.guvernatorja Minxhozi.

Artikulli paraprakSulm me armë në Vjenë, 7 të vdekur dhe disa të plagosur
Artikulli tjetërFaqja e pare