Banka: Ka rënë besimi tek ekonomia, rënia ekonomike

Banka e Shqipërisë, në një takim informal me mediat për prezantimin e raportit mujor të politikës monetare të tremujorit të dytë 2016, ka zbardhur arsyet që kanë ngadalësuar rritjen ekonomike gjatë muajve të fundit, ku rënia e besimit në ekonomi dhe ambienti i jashtëm i përkeqësuar citohen si arsyet kryesore.
“Informacioni i ri ka qenë në krahun e poshtëm të pritjeve të Bankës së Shqipërisë. Rritja ekonomike e tremujorit të katërt të vitit 2015 rezultoi më e ulët se parashikimi, inflacioni i tremujorit të parë të 2016 shënoi rënie të papritur. Ambienti i huaj ka rezultuar i përkeqësuar dhe besimi i biznesit nuk shfaqi përmirësim të qëndrueshëm. Këto zhvillime kanë shtyrë në kohë kthimin e ekonomisë në ekuilibër”.
Indeksi i besimit në ekonomi (Treguesi i ndjesisë ekonomike-TNE) ra me 5.7 pikë, në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zbritur poshtë mesatares historike për herë të parë pas tre tremujorëve, ka raportuar më parë Banka e Shqipërisë. (Ecuria e këtij treguesi u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku rënie më të fortë regjistroi besimi në sektorin e ndërtimit. Në rënie ka qenë dhe besimi konsumator.
Rritja ekonomike rezultoi 2.2% në tremujorin e katërt dhe 2.6% për 2015. Ajo është udhëhequr nga aktiviteti në ndërtim dhe shërbime, vlerëson Banka e Shqipërisë. Aktiviteti industrial ka vuajtur konjukturën e pafavorshme në tregjet botërore dhe në partnerët tanë tregtarë. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike është udhëhequr nga zgjerimi i konsumit familjar dhe i investimeve private.
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë e vunë theksin dhe në rënien e investimeve kapitale, që janë zëri që kanë pësuar tkurrjen më të madhe në të gjithë zërat e shpenzimeve buxhetore. Në kahun tjetër, eksportet e mallrave janë në rënie, ndërsa ato të shërbimeve në rritje.
Në kahun tjetër, inflacioni ka qenë afër zeros, në intervalin për tre tremujore radhazi. Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, kjo rënie ishte e papritur, pasi ata nuk kishin informacion paraprak për një gjë të tillë. Efekti kryesor vlerësohet të ketë ardhur nga rënia e naftës, ndërkohë që edhe partnerët tregtarë kanë rishikuar me rënie të fortë inflacionin. Ata kanë rishikuar me ulje dhe rritjen ekonomike, thanë specialistët e Bankës së Shqipërisë.
Inflacioni mesatar i tremujorit të parë rezultoi në nivelin e 0.7%. Rënia e inflacionit, sipas Bankës së Shqipërisë, ka ardhur nga goditje të ofertës:
-Inflacioni i ulët i ushqimeve
-Përcjellja e rënies së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar
-Faktorë teknikë të bazës së lartë krahasuese
Ndikimi i tyre në inflacion pritet të jetë kalimtar dhe të shuhet në gjysmën e dytë të vitit.
Niveli i inflacionit në fundit të 2016 pritet të luhatet rreth vlerës 1.9%, krahasuar me parashikimin 2.3% të raportit të mëparshëm.
Presionet e përgjithshme inflacioniste në vend vazhdojnë të mbeten të ulëta. Kapacitetet prodhuese shfrytëzohen vetëm pjesërisht dhe presionet në tregun e punës mbeten të dobëta. Inflacioni bazë, i cili sinjalizon presionet afatgjata nga ana e kërkesës mbi inflacion, ka mbetur në vlera të ulëta.

Normat e interesit nuk do rriten para vitit 2017

Banka e Shqipërisë paralajmëroi se stimuli monetar mund të rritet më tej gjatë vitit 2016, ndërkohë që cikli rritës i normave të interesit nuk do të fillojë para vitit 2017. Pak ditë më parë, me qëllim respektimin e objektivit të inflacionit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që: Të ulë normën bazë të interesit në nivelin 1.25%; Të ngushtojë korridorin e lehtësirave të përhershme, duke ulur normën e interesit të kredisë njëditore në nivelin e 2.25%

Në afat të mesëm rritja do të përmirësohet

Megjithatë, Banka e Shqipërisë mbetet optimiste për të ardhmen. “Banka e Shqipërisë gjykon se, ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Në horizont afatmesëm, presim një rritje ekonomike në përmirësim dhe një kthim gradual të inflacionit në objektiv. Ekonomia parashikohet të kthehet në ekuilibër gjatë vitit 2017, duke ndihmuar kthimin e inflacionit në objektiv rreth fundit të vitit 2018.
Konsumi dhe investimet private pritet të jenë mbështetësit kryesorë të rritjes ekonomike gjatë vitit 2016. Ekonomia pritet të rritet me ritëm më të lartë se vitin e kaluar.
Tregjet financiare janë likuide dhe kjo është reflektuar në norma të ulëta interesi. Interesat për huadhënien në lekë janë ulur gradualisht në tre vitet e fundit. Megjithatë, kushtet financiare stimuluese nuk janë përkthyer në rritje të qëndrueshme të kredisë, si pasojë e hezitimit të agjentëve ekonomikë dhe financiarë.
Transmetimi i plotë i efekteve të politikës monetare në tregjet financiare dhe zbatimi i planit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të ndihmojë në rritjen e interesimit të bankave ndaj kreditimit. Megjithatë, përmirësimi i qëndrueshëm i klimës së biznesit dhe rritja e interesit për kredi, për investime afatgjata do të varet edhe nga përshpejtimi i reformave strukturore.
Këto të fundit, përcaktojnë rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së vendit në afat të gjatë, thekson Banka e Shqipërisë.

Exit mobile version