Bankat e kanë zgjeruar ndjeshëm portofolin e kredisë për bizneset jashtë vendit sidomos vitet e fundit. Shuma ka arritur në 67 miliardë lekë në fund të vitit 2016, por një pjesë e saj është kthyer në kredi të keqe.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e keqe në këtë kategori arriti në 3,3% të totalit të huasë së dhënë jashtë në fund të vitit të kaluar që i korrespondon një shifre prej 2.2 miliardë lekësh (16 milionë euro). Banka thotë se në kategorinë në fjalë kredia e keqe është ngushtuar me mbi 8 për qind gjatë vitit të kaluar, por lajmëron se kjo lloj huaje paraqet rrezik.
“Sidoqoftë, kjo është një kredi e këtyre viteve të fundit, relativisht e re dhe përmban disa specifika që lidhen me aftësinë e bankave për të vlerësuar në mënyrë të përshtatshme rreziqet e huamarrësit që vepron në një juridiksion të huaj. Ndaj, vlerësimi i cilësisë së saj, kërkon vëmendje dhe monitorim të vazhdueshëm”, lajmëron Banka Qendrore.
Ekspertët në Bankën e Shqipërisë pohojnë se kanë ponderuar me rrezik të lartë kredinë jashtë vendit pikërisht për të kufizuar bankat në dhënien e saj. Por ata shpjegojnë se bankat mund të ushtrojnë këtë lloj financimi pasi ligji nuk e ndalon. Por nga ana tjetër në rast se kredia nuk kthehet ekzekutimi i kolateralit vështirësohet për shkak të rregullatorëve të brendshëm.
Ekspertët e bankës sqarojnë se në maj të vitit 2013, Banka e Shqipërisë ndërmori disa masa për të zbutur tendencën e kreditimit jashtë vendit, që dha efekte. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit 2016, rritja e shpejtë e burimeve të financimit në valutë dhe ulja e efektit penalizues të këtyre masave është reflektuar në zgjerimin e aktiveve me jo rezidentët me rreth 15.6% me terma vjetorë, në mungesë të alternativave të mjaftueshme të investimit në vend.
Bankierët, e kontaktuar nga “Monitor”, pohojnë se kjo hua po jepet kryesisht në Kosovë nga një apo dy banka. Ata shtojnë se kjo nuk është gjë e mirë për vendin, pasi paratë po shkojnë jashtë Shqipërisë dhe nuk po investohen këtu. Edhe ajo rritje prej 2-3% e huasë në total që u konstatua më 2016-n, ka ardhur kryesisht nga kreditimi për kompanitë jashtë vendit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shtesa vjetore e stokut të kredisë për bizneset jashtë vendit në janar 2017 ishte 27.5 miliardë lekë, ndërsa ajo për bizneset vendase (korporatat jofinanciare) ra me 3.6 miliardë lekë për të njëjtën periudhë.