Ulja e kredive të këqija nuk ka ardhur nga përmirësimi i situatës ekonomike dhe aftësisë paguese të bizneseve apo individëve, por është rezultat i fshirjes së tyre nga bilancet e bankave private. Vitin e kaluar bankat shqiptare fshinë rreth 26.6 miliardë lekë ose mbi 220 milionë dollarë kredi me probleme nga bilancet e tyre. Të dhënat zbulohen nga një raport i posaçëm i Bankës Botërore, i cili i referohet shifrave të Bankës së Shqipërisë.
Kreditë e këqija në Shqipëri arritën pikun 1.15 miliardë euro, çka do të thotë se shuma e fshirë vitin e kaluar është sa 20 për qind e totalit të huave me probleme. Vetëm si pasojë e këtij veprimi, shifra kombëtare e kredive të këqija është ulur me 4.6 pikë përqindje. Së bashku me efektin e ristrukturimeve me 35 borxhlinjtë e këqinj më të mëdhenj, që po ndërmjetëson Banka e Shqipërisë, këto janë dy arsyet se pse treguesi i kredive të këqija u ul nga 24 për qind në 18.2 për qind.
Fshirjet
Fshirja nga bilanci nuk do të thotë se këto kredi falen. Përkundrazi, ata që i kanë marrë këto kredi vazhdojnë të kenë detyrimin për ti shlyer, ashtu si më parë. Por, pasi nxirren nga bilancet e bankave, këto kredi nuk raportohen më në shifrën kombëtare të kredive të këqija. Kjo është hera e parë që bankat shqiptare fshijnë kredi të këqija. Më parë, ato e kanë patur të pamundur ta bëjnë këtë për shkak të pengesave ligjore, por edhe konfliktit me tatimet, të cilat huatë me probleme nuk i njihnin si shpenzime të zbritshme për efekt të pagimit të taksave. Nën konsulencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, vitin e kaluar qeveria shqiptare se bashku me Bankën e Shqipërisë ndërmorën një sërë masash ligjore për të incentivuar uljen e kredive të këqija. Por vitin e kaluar, trajtimi fiskal i kredive me probleme u ndryshua dhe paralelisht Banka e Shqipërisë miratoi një rregullore, e cila i detyron bankat private që të fshijnë nga bilanci çdo kredi të keqe që nuk shlyhet prej më shumë se tre vjetësh. Huatë me probleme arritën kulmin në shtator të vitit 2014 kur cekën nivelin 24.9 për qind. Por vitin e kaluar për shkak të fshirjeve masive dhe ristrukturimeve të disa kredive të mëdha të ndërmjetësuara nga Banka e Shqipërisë treguesi i kredive të këqija zbriti deri në 18.2 për qind. Por në dy muajt e parë të vitit ai u rrit sërish në 18.9 për qind.