Bankat gjermane në buzë të greminës?

Bankat gjermane nuk po nxjerrin më shumë fitime për shkak të përqindjeve të ulëta të interesit, rregullave dhe shtimit të konkurrencës nga bankat online. Për të mbijetuar bankat tradicionale po dixhitalizohen. Prej vitesh aksionet bankave gjermane po bien. Aksionet e bankës më të madhe Deutsche Bank nuk kushtojnë më tepër se 10 euro. Para tre vjetësh ato kushtonin trefishin. Po ashtu edhe aksionet e Commerzbank, të cilat që prej fillimit të vitit kanë rënë me 35%.
Commerzbank, banka e dytë gjermane për nga madhësia, njoftoi të martën se deri në vitin 2020 do të pushojë nga puna një të pestën e punonjësve, rreth 9000 vetë. Kjo bëri që kursi i aksioneve të saj të bjerë sërish. Ajo nuk pritet as të arrijë qëllimin e saj për fitimet për vitin 2016.
Edhe Deutsche Bank pritet të largojë punonjës nga puna. Por as kjo nuk do ta shpëtojë dot bankën më të madhe gjermane nga vështirësitë. Ministria e Drejtësisë e SHBA-së do ta akuzojë këtë bankë për biznese të papastra në kuadrin e krizës financiare duke kërkuar dëmshpërblim prej 12,5 miliardë euro.

Konkurrencë në rritje nga bankat online
Probleme nuk kanë vetëm bankat e mëdha, por edhe ato të vogla. Politika e përqindjeve të ulëta të interesit që ndjek Banka Qendrore Evropiane e bën jo rentabël biznesin e tyre kryesor, dhënien e kredive. Këshillimi i klientëve dhe qiratë e filialeve janë të shtrenjta. Shumë banka kanë ngritur taksat e shërbimeve.
Konkurrenca shtohet edhe prej bankave online. Ato nuk kanë filiale dhe kanë më pak punonjës. Po ashtu ato nuk u nënshtrohen aq fort rregullave që vlejnë për bankat klasike, për shembull në rastin e këshillimeve për rastet e kredive, thotë Prof. Hans-Peter Burghof, ekspert për bankat në Universitetin e Hohenheim-it.
Për të mbijetuar bankave u duhet të reagojnë ndaj konkurrencës online. Shefi i bankës Martin Zielke tha në fillim të gushtit se, “gjithçka që mund të dixhitalizohet, do të dixhitalizohet”. Edhe Prof. Hans-Peter Burghof mendon se bankat duhet t’i nënshtrohen transformimit të teknologjisë dhe të bëhen më inovative. “Kjo do të thotë që atyre u duhen edhe më pak punonjës”, thotë ai.
Bankat nuk kanë marrë fund, mendon Burghof. Por ai është i bindur se, “për dhjetë vjet nuk do të ketë më banka siç i njohim ne sot”.

Exit mobile version