Bankat hezitojnë t’i japin borxhin e ri qeverisë

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Interesat e letrave me vlerë të qeverisë kanë vijuar të rriten edhe këtë fillimviti. Ministria e Financave e ka zhvilluar dje ankandin e obligacionit dhjetëvjeçar, por për shkak se bankat nuk i janë përgjigjur totalisht kërkesës së qeverisë, interesi u rrit me 0.5% në raport me ankandin e fundit që u zhvillua për këtë maturim më 5 tetor të 2016-s.
Qeveria kërkoi për të financuar shërbimin e borxhit dhe deficitit me 3 miliardë lekë, por bankat kanë ofruar vetëm 2.8 miliardë. Por për shkak të interesit të lartë të ofruar, qeveria ka pranuar të financohet në këtë ankand, me vetëm 2.5 miliardë lekë.
Obligacioni u shit kundrejt një interesi 7.2%, niveli ky më i lartë që nga 15 janari i vitit 2016.
Interesat e instrumenteve të brendshëm të borxhit kanë shënuar rritje në të gjitha maturimet. Rritja e nisur që nga muaji shtator i vitit 2016, duket se ka shkak themelor tkurrjen e interesit të bankave për të investuar në borxhin publik. Në mënyrë sistematike, në të gjitha ankandet e zhvilluara në lekë, kërkesa e qeverisë ishte më e lartë se oferta e bankave.
Ekspertë të sektorit bankar e komentojnë këtë sjellje të bankave me pritshmëritë që ato kanë me rritjen e normave të interesit. Gjithashtu, 2017 është një vit zgjedhor, çka step investitorët në këtë rast, bankat, që të tregohen ekspansionistë në investimet qeveritare.
Raporti i mbulimit të kërkesës së qeverisë ka pësuar përkeqësim që nga fillimi i vitit. Në muajin janar, raporti i mbulimit ishte më i lartë se kërkesa e qeverisë dhe kjo sjellje zgjati deri në muajin maj, ku më pas u vërejt një rënie graduale, e cila është përkeqësuar muajt e fundit.
Për të shmangur kostot në rritje të financimit të borxhit të brendshëm, qeveria po përdor instrumentin e financimit në valutë. Në datën 30 nëntor, qeveria realizoi me sukses ankandin e obligacionit 2-vjeçar, me vlerë 35 milionë euro, ndërkohë që oferta e bankave ishte mbi 90 milionë euro. Mirëpo qeveria, duke grumbulluar likuiditet në valutë për financimin e borxhit të brendshëm, rrezikon nëpërmjet kursit të këmbimit. Por gjithsesi, momentalisht kursi i këmbimit është i favorshëm, por nëse leku dobësohet në vijim, kostot e këtij obligacioni rrezikojnë të rriten në vitin e dytë të maturimit.
Referuar skenarit bazë për administrimin e borxhit, financimi i brendshëm për periudhën 2016-2018 do të jetë në nivelin e 90-92% të totalit të financimit, ndërkohë që financimi nëpërmjet titujve afatgjatë do të synojë të rritet deri në 30-32% në vitin 2018, nga 17% që vlerësohet në vitin 2015.

Exit mobile version