Bankat japin alarmin: Përkeqësim i ekonomisë më 2016

Ndryshe nga qeveria, institucionet e së cilës pohojnë se ekonomia e vendit po rritet në mënyrë të qëndrueshme rreth 3%, bankat tregtare në vendin tonë kanë një perceptim krejt të kundërt për zhvillimet ekonomike të këtij viti. Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur si rrezikun më të madh përkeqësimin e ekonomisë së brendshme.
Ndër pesë rreziqet që kanosin veprimtarinë e bankave, “përkeqësimi i ekonomisë më 2016” është renditur si rrezik shumë i lartë, duke lënë pas kështu edhe rreziqet që vijnë nga mosekzekutimi i kolateraleve dhe moskthimi i kredisë në banka. Perceptimi për rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë është rritur ndjeshëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, pasi kishte rënë për 3-6-mujorë radhazi, për të arritur në nivelin më të ulët në fund të vitit 2015.
“Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme” vijon të mbetet rreziku më i rëndësishëm sistemik dhe në perceptimin e bankave, niveli i rëndësisë së tij është rritur nga “mesatar” në “i lartë”, pohoi Banka e Shqipërisë, duke analizuar elementë që kërcënojnë stabilitetin financiar.
Vëmendja e sektorit ndaj rrezikut që lidhet me “vështirësitë në ekzekutimin e kolateraleve” vijon të shënojë rritje, në kushtet kur pesha e kredisë së kolateralizuar është e ndjeshme. Nga ana tjetër, shqetësimi lidhur me “rrezikun e goditjeve nga jashtë”, vijon.
Përmirësimi i cilësisë së kredisë për bizneset dhe individët si rrjedhojë e pastrimit të bilanceve të bankave nga huatë e humbura, rënia e nivelit të papunësisë në vend, si dhe ulja e luhatshmërisë në ecurinë e kursit të këmbimit, kanë ulur materializimin e rrezikut sistemik krahasuar me një vit më parë.
Akumulimi i rrezikut sistemik dhe indeksi i stresit financiar, shfaqin rritje gjatë vitit të fundit. Në ecurinë e indeksit të akumulimit të rrezikut sistemik, tkurrja e kredisë në valutë ka zbutur akumulimin e rrezikut, ndërsa efekt të kundërt ka pasur ecuria e tregut të banesave, rritja e nivelit të kreditimit të bizneseve, si dhe rritja e nivelit të borxhit të jashtëm.
Në rritjen e indeksit të stresit financiar, kanë ndikuar rritja më e vogël e depozitave dhe ulja e marzhit neto të normës së interesit në sektorin bankar.
Gjatë periudhës, perceptimi i bankave mbi rreziqe të caktuara është rritur, por probabiliteti i materializimit në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme vlerësohet “nën mesatar”.

Exit mobile version