Bankat mos t’u shiten bizneseve pa përvojë bankare; “Janë paratë publike në lojë”

Sistemi bankar shqiptar ka hyrë tashmë në një fazë të rëndësishme konsolidimi. Dy banka janë në proces daljeje nga tregu. Veneto Bank u përthith nga Intesa San Paolo, ndërsa Banka Amerikane e Investimeve (ABI) ka mbyllur procesin e blerjes së Bankës Kombëtare Greke (NBG). Procesi pritet të vazhdojë edhe më tej, pasi të tjera banka janë në shitje. Interes të shtuar për të marrë pjesë në këtë proces është shfaqur dhe nga disa grupe të mëdha biznesi në Shqipëri, që deri tani nuk kanë qenë të përfshira në sistemin bankar. Por, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në deklaratën e fundit të tij ka ripërsëritur këshillën e tij që të tregohet shumë kujdes në përzgjedhjen e blerësve të rinj. “Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar”. Në një takim me mediat, i pyetur nëse Fondi i referohet interesit të bizneseve vendase për të blerë banka, përfaqësuesi i misionit të përhershëm të FMN-së, Jens Reinke, ka pohuar edhe ne “dëgjojmë të njëjtat thashetheme”. Rreziku sipas tij është që mund të ketë një miks interesash dhe mund të jetë e vështirë t’i kontrollosh. Anita Tuludhar, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë ka pohuar që është tendencë e gjithë rajonit, që bankat me kapital europian po ulin ekspozimin e tyre në treg.

Në Shqipëri, tashmë kanë dalë nga tregu Veneto dhe NGB, ndërsa priten më shumë konsolidime. “Pikëpyetja është kush po blen dhe duhet të sigurohemi që blerësi të përmbushë standardet ndërkombëtare”, tha ajo. “Janë paratë publike në lojë”. Në deklaratën e fundit, FMN thekson se, “Përmirësimi i mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit bankar, në përputhje me standardet e BE-së, do t’i vinte në dispozicion BSH-së mjetet për t’i menaxhuar më mirë risqet e bankave me rëndësi sistemike dhe të krijonte amortizues të kapitalit. Konsolidimi i tanishëm i bankave, me shitjen e aktiveve nga bankat me pronësi evropiane, sjell risqe sa i takon drejtimit të brendshëm të tyre. Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se, pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar. Monitorimi strikt i bankave me rëndësi sistemike do të duhet të fuqizohet më tej, për ta kufizuar riskun e huamarrësve të mëdhenj dhe për ta zbutur riskun e huadhënies mes palëve të lidhura. BSH duhet të vijojë ta harmonizojë kuadrin e saj rregullator dhe mbikëqyrës me BE-në dhe të konvergojë progresivisht drejt zbatimit të Basel. Në sektorin jobankar, ka rëndësi kritike që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ta plotësojë kuadrin për menaxhimin e krizave për fondet e investimeve, në bashkërendim me BSH-në.

Exit mobile version