Ka shënuar një nivel rekord kërkesa e bankave për të blerë obligacione në euro të qeverisë shqiptare me afat maturimi dyvjeçar. Në ankandin e zhvilluar ditën e sotme, bankat kërkuan të blinin 98 milionë euro, por qeveria kishte vendosur si limit shumën 35 milionë euro, e cila edhe u pranua, duke “refuzuar” 63 mln euro.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, kuponi indikativ zbriti në 0.75%, duke shënuar një rënie të ndjeshme në raport me ankandin e fundit të të njëjtit lloj, që ishte zhvilluar në gusht të vitit 2015, ku kuponi ishte 3.21%.
Teksa kërkesa e ulët e bankave për të blerë Bono Thesari në lekë kishte bërë që interesat (yieldi) e bonove të rriteshin me shpejtësi muajt e fundit, Ministria e Financave ndryshoi kurs, duke shitur letra me vlerë në euro në mënyrë që të tërhiqte institucionet financiare. Bankat po vuanin nga likuditeti në monedhën vendase, teksa depozitat me afat në lekë kanë rënë vazhdimisht si rrjedhojë e interesave të ulëta. Nga ana tjetër, bankat po i gëzoheshin një likuiditeti të lartë në valutë si rrjedhojë e rritjes së depozitave në euro në gusht të këtij viti, kohë kur tradicionalisht ka hyrje valute, si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve dhe të ardhurave nga turizmi. Vetëm në gusht, kursimet në monedhën e përbashkët u rritën me rreth 160 milionë euro. Të gjendura përballë mungesës së alternativave të investimit, me huanë në valutë që pothuajse është frenuar, bankat i depozituan jashtë pjesën më të madhe të këtyre parave. Por, tashmë rreth 35 milionë euro kursime do të shkojnë për financimin e deficitit, që qeveria ka krijuar, pasi përgjithësisht shpenzon më shumë sesa mbledh, përveçse 10 muajve të fundit, kur buxheti ka qenë me suficit.
Në shtator 2016, borxhi i qeverisjes qendrore është në vlerën 1,067.0 miliardë lekë ose 71.04% e PBB. Në kuadër të realizimit të planit vjetor të huamarrjes dhe mbulimit të nevojave të qeverisë për likuiditet, borxhi i qeverisjes qendrore gjatë nëntëmujorit është rritur me rreth 24.7 miliardë lekë ose rreth 71% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.