Totali i aktiveve të sistemit bankar shënoi një rritje prej 3.8% apo me 48 miliardë lekë në fund të 9-mujorit 2016, në raport me dhjetorin 2015, duke përshpejtuar ndjeshëm ritmet e zgjerimit, në raport me 2.4% që ishte për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ecuria pozitive i dedikohet tërësisht tremujorit të tretë, ku bankat, në kahun e pasiveve iu gëzuan rritjes së fortë të depozitave, sidomos asaj në valutë, me llogaritë rrjedhëse të sektorit privat që u rritën me 30 miliardë lekë në tremujorin e tretë. Ky është një efekt përgjithësisht sezonal, ku gjithnjë në muajin gusht ka një rritje të depozitave në valutë nga prurjet e emigrantëve.
Këto para, që i mbledhin nga bizneset, individët e institucionet e tjera, bankat duhet t’i investojnë dhe alternativat përgjithësisht janë dhënia e huasë për ekonominë, blerja e letrave me vlerë apo depozitimi në bankat e huaja.
Por, si i kanë përdorur bankat këto para që hynë në sportelet e tyre në 9 muajt e këtij viti. Të dhënat e detajuara të Bankës së Shqipërisë pohojnë se, sidomos në tremujorin e tretë, ato kanë preferuar të mos rrezikojnë dhe i kanë vendosur paratë e lira në institucionet e tjera financiare jashtë vendit, zë i cili u rrit me rreth 36 miliardë lekë në tremujorin e tretë në raport me atë të mëparshmin, nga 39 miliardë lekë që ishte rritja e tij për gjithë 9-mujorin.
Kreditimi për ekonominë ka vijuar i dobët. Stoku i huasë për bizneset dhe individët u rrit me 2.4% në fund të 9-mujorit, në raport me dhjetorin 2015 apo me 14 miliardë lekë. Rritja është ngadalësuar sidomos në periudhën korrik-shtator. Të dhënat e paraqitura në tabelën e aktiveve të sistemit bankar tregojnë rritjen reale, duke përjashtuar efektin e fshirjes së kredive të humbura.
Bankierët pohojnë se e gjithë valuta që hyri në ekonomi në tremujorin e tretë është praktikisht e pamundur të jepet kredi brenda një periudhe kaq të shkurtër kohe, për më tepër që sistemi është i frenuar në huadhënie si rrjedhojë e NPL-ve të larta, kërkesës së dobët nga sipërmarrja dhe rritjes së perceptimit të riskut makroekonomik nga bankat, siç u konstatua dhe në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë.
Bankat kanë qenë aktive dhe në blerjen e letrave me vlerë për 9-mujorin. Zëri i veprimeve me letrat me vlerë u rrit me 35 miliardë lekë apo me 11.4% në raport me fundin e 2015-s.
Një tjetër dukuri interesante e 9-mujorit të parë është heqja e parave nga Banka e Shqipërisë, pasi kjo e fundit vendosi interesa negative në dhjetor, me qëllim që të nxiste bankat të kanalizonin fondet e lira në ekonomi. Zëri i marrëdhënieve me Bankën Qendrore ka rënë me 33 miliardë lekë në shtator, në raport me dhjetorin 2015.