Bankat përgatiten në rastet e falimentimeve

Në Komisionin e Ekonomisë u diskutua dje projektligji në lidhje me rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në bankat. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dhe zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, shpjeguan disa nga risitë.
Ky ligj, i cili ka marrë formë që në vitin 2012, është hartuar për të garantuar ndërhyrjen në banka, në rast se do të ketë ngjarje të jashtëzakonshme, ka thënë ministri.
Synimi është që të sigurohet një bazë e qartë ligjore, që synon dhe të përafrohet dhe më tej me direktivat e BE-së. Kriza e shfaqur pas 2008-ës ka evidentuar nevojën e një ligji të tillë. Kriza tregoi se instrumentet ekzistuese ishin të pamjaftueshme për të trajtuar në mënyrë të efektshme bankat, të cilat nuk janë në pozita të shëndosha financiare ose që janë në kolaps.
Në fjalën e tij, Ahmetaj tha se qëllimi kryesor do të jetë shmangja e rreziqeve që kërcënojnë stabilitetin financiar dhe se ky ligj synon mbrojtjen e depozituesve.
Fillimisht banka do t’i nënshtrohet rimëkëmbjes dhe, në rast se kjo nuk do të funksionojë, banka do të hyjë në procedurat e likuidimit, ku pesha kryesore do të mbartet nga aksionerët. Sipas zëvendësguvernatores, Natasha Ahmetaj, niveli i stresit financiar në Shqipëri është i qëndrueshëm dhe duhet të sigurohemi se korniza ligjore për raste të tilla është e plotë.
Ligji, tha zëvendësguvernatorja, vendos për autoritetin që do të angazhohet për procesin e rimëkëmbjes dhe të likuidimit, që do të jetë Banka e Shqipërisë, si dhe për formatimin e instrumenteve që do të përdoren.
Sipas nënkryetarit të Komisionit të Ekonomisë, diskutimi i këtij projektligji me procedurë të ngutshme për t’u miratuar vjen në një kohë kur nuk ka rrezik të shtuar në sistemin bankar të Shqipërisë, ndërkohë që shqetësimi duhet të jetë si t’i bëjmë bankat më aktive. Për Boden, kjo do t’i shtojë kosto të tjera bankave që operojnë në vend, në kushtet ku përfitueshmëria e bankave dhe normat e interesit janë të ulëta.
Sipas relacionit, projektligji synon të vendosë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë (Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme) një tërësi instrumentesh ligjore për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha ose në gjendje kolapsi, në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e funksioneve financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës, gjithmonë duke minimizuar efektin që ka kolapsi i saj tek ekonomia dhe sistemi financiar.
Këto instrumente sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të jenë aksionerët dhe pas tyre kreditorët, me kusht që asnjë kreditor të mos mbartë humbje më të mëdha se humbjet që do të pësonte nëse banka do të ishte likuiduar sipas procedurës së zakonshme të likuidimit të detyruar në zbatim të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.
Për këtë, projektligji parashikon krijimin e një fondi me kontribute kryesisht të vetë bankave, i cili synohet të konsolidohet në disa vjet dhe në rast të një rreziku në përputhje me kushtet e përcaktuara në projektligj të përdoret për të “shpëtuar” një apo disa banka. Ky fond do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave.
Termi i përdorur në ndërhyrjen e jashtëzakonshme është “bail in” në krahasim vetëm me ndërhyrjen shtetërore, duke përdorur para publike dhe duke ngarkuar tatimpaguesit me barrën e “shpëtimit” të bankave, të ashtuquajturën “bail out”. Instrumente të tilla si “bail in” apo dhe të tjera të parashikuara në projektligj i japin mundësi Autoritetit të Ndërhyrjes (Bankës së Shqipërisë) për të ruajtur mundësinë e pandërprerë për grumbullimin e depozitave dhe për të kryer transaksione pagesash, duke shitur pjesët rentabël të bankës, kur është e nevojshme, dhe për të mbuluar humbjet në mënyrë të atillë që të shmangin destabilizimin e tregut financiar dhe minimizimin e kostove për tatimpaguesit.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërRenzi do të largohet pas votimit të buxhetit dhe Cal Ceneterva