Bankieri miliarder me rrogë mujore 600 euro!

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas daljes së një dokumeti të një procesi gjyqësor ndaj deputetit Peza nën akuzë për fshehje të pasurisë. Dokumentat provojnë se paga e tij është ndryshe nga ajo që Peza ka deklaruar publikisht prej 10 mijë dollarësh në muaj. “Peza bëri be e rrufe se paratë e tij nuk janë para droge dhe trafiqesh, por vijnë nga superpaga e tij si gazetari më i paguar dhe më i adhuruar i vendit.
Mirëpo Peza harroi se për të kursyer 1 milion dollarë me pagë 600 euro në muaj, të duhen së paku 300 vjet! Kjo në rast se nga paga 600 euro kursen 250 euro në muaj apo 3000 euro në vit. Këtij kursimi vjetor prej 3000 euro në vit i duhen 300 vjet për të arritur shumën e deklaruar nga Peza prej 900.000 euro kursime.
Shtoj këtu se një fat të lumtur të tillë e ka patur vetëm Edi Rama, që kishte të deklaruar në vitin 2012 gjithsej 3000 euro kursime ndërsa sot jeton në Sarajet e Surrelit ku vetëm toka e truallit dhe e oborrit kushton 220 mijë euro.
Bankier Pezën e nxjerr çullak një vendim i Gjykatës së Tiranës i dt 04.03.2010. Ky vendim provon se “super rroga” që ai pretendon se ka marrë nga “Ora News”, bëhet pluhur dhe katandiset kokoshi në thelë.
Sipas vendimit të Gjykatës super rroga e të “adhuruarit” dhe më të paguarit gazetar Peza na ishte gjithsej 80 mijë lekë, pra 600 euro rrogë mujore. Ndërkohë këtë “super rrogë” Peza e ka gëzuar vetëm për tre vite që ka punuar tek “Ora News”, sepse para këtyre viteve kolegët e tij deputetë të PS thonë se Peza nuk merrte super rrogë, por rrogë të zakonshme mujore.
Mbi bankier Pezën rëndojnë edhe burimi i parave të blerjes së dy apartamenteve, të supozojmë se njëri është apartament në pajë si puna e pallatit në pajë të Edi Ramës, kurse apartamenti tjetër për bankier Pezën mbetet në hava!
Kështu të dashur miq, duke i besuar betimit të bankierit se paratë e tij nuk vijnë as nga pluhuri as nga malli, më duhet t’i them Alfredit se, sado të bëjë çakallin e Edvinit, varianti më i lehtë për të është kombinimi i disa veprave penale si: Deklarim i rremë, burim i padeklaruar i të ardhurave, vjedhje taksash (evazion fiskal), mosdeklarim page tek sigurimet shoqërore (pra prapë vjedhje taksash), mashtrim ndaj Gjykatës (përçmim Gjykatës) edhe ndonjë tjetër. Theksoj përsëri se, sado që të bëjë çakallin e Ramës për t’u fshehur prapa Surrelit, është i pashpresë!”, thotë Berisha në postimin në Facebook.

Peza nuk pranoi detyrimin ushqimor ndaj të birit

Vendimi i Gjykatës rrëfen të plotë me detaje debatin mes Pezës dhe ish-bashkëshortes së tij para Gjykatës ku ai nuk pranoi që të përmbushë detyrimet e shtuara ushqimore ndaj të birit me martesën e parë. Peza provon me dokumenta në Gjykatë se paga e tij është vetëm 80 mijë lekë, ndërsa në media sot po thotë se ka patur një pagë 10 mijë euro. Atëherë kush gënjën në këtë rast dokumentat apo Peza? Pyetja e dytë që duhet të marrë përgjigje dhe jo vetëm nga Peza është fakti se si shpjegohet që nga Rama dhe të të gjithë vartësit e tij, i lenë fëmijët rrugëve? Dhe nëse këta lenë fëmijët rrugëve, kuptohet se sa u dhimbset populli.

“VENDIM“NE EMER TE REPUBLIKES”
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e përbërë nga:
GJYQTARE: REZARTA BALLIU (VIGANI)
Asistuar nga sekretare gjyqësore Beglie Nura, në datë 21.04.2010 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen civile me Nr.5903 Akti që i përket;
PADITESE: Adelina Toli, e bija e Agim dhe Lizhela, dtl.1969, lindur në Lushnjë dhe banuese në Tiranë, Rr. “Don Bosko”, Pall.MELD, përfaqësuar në gjykim me prokurën e posaçme me nr.1025 rep dhe nr.206/2 kol, datë 04.03.2010 nga Av.Edvin Quku me Nr.1997 Licensë.
I PADITUR: Alfred Peza, i biri i Besim dhe Rukije dtl.1967, lindur në Peqin, e banues në Tiranë, përfaqësuar në gjykim me prokurën e posaçme me nr.675 rep dhe nr.177/1 kol, datë 04.03.2010 nga Av.Dorian Çeliku me Nr.1350 Licensë.
OBJEKTI: Shtim i detyrimit për ushqim.
BAZA Ligjore: Neni 207, 210 i K.Familjes.
Gjykata pasi e shqyrtoi çështjen në tërësi, administroi provat shkresore, e pasi dëgjoi pretendimet përfundimtare të Avokatit të paditëses, i cili në përfundim të gjykimit kërkoi pranimin e kërkesë padisë, Avokatin e të paditurit, i cili në përfundim të gjykimit kërkoi pranimin e pjesshëm të kërkesë-padisë,
VEREN
Gjykata e Rrethit Tiranë me vendimin nr.1054, datë 07.04.1999 midis të tjerave, ka vendosur:
“Zgjidhjen e martesës midis palëve ndërgjyqëse, paditëses Adelina Peza dhe të paditurit Alfred Peza.
Detyrimin e të paditurit Alfred për të paguar pension ushqimor për djalin Rubens në masën 4000 lekë në muaj.
Ky detyrim fillon nga dita e ngritjes së padisë datë 29.09.1998”.
Ky vendim ka marrë formë të prerë në dt.21.04.1999.
Paditësja me kërkesë-padinë drejtuar Gjykatës kërkon që detyrimi ushqimor që i padituri ka ndaj fëmijës të tij të shtohet, kjo me arsyetimin se që nga dhënia e vendimit të zgjidhjes së martesës, kanë ndryshuar disa rrethana.
Kështu, paditësja deklaroi se detyrimi ushqimor i vendosur nga Gjykata nuk justifikon nevojat e fëmijës së saj. Po kështu, që nga dhënia e vendimit, fëmija është rritur, po kështu edhe kosto e jetesës.
Sipas vërtetimit datë 21.01.2010, të lëshuar nga Shkolla 9-vjeçare “DËSHMORËT E LIRISË”, rezulton se Rubens Alfred Peza vazhdon mësimet në klasën e 8-të të kësaj shkolle.
Një arsye tjetër pse paditësja kërkon që detyrimi ushqimor të shtohet është dhe fakti që fëmija ka kërkesa që me kalimin e viteve janë shtuar, dhe se ajo po investon për të ardhmen e tij.
Kështu, sipas vërtetimit me nr.36/03 datë 31.03.2010 të lëshuar nga ALLIANCE FRANÇAISE, rezulton se Rubens Peza ndjek një kurs të gjuhës frënge me pagesë mujore 10 000 lekë dhe sipas vërtetimit datë 29.03.2010 nga Judo federation Albania, rezulton se Rubens Peza ndjek mësimet e këtij arti marcial, kundrejt pagesës mujore prej 35 euro.
Po kështu, sipas paditëses, i padituri nuk është në kushtet ekonomike të viteve të shkuara dhe të ardhurart e tij janë rritur ndjeshëm, pasi ai punon si drejtues në një televizion privat.
Mbi bazën e gjithë provave të paraqitura, paditësja në përfundim të gjykimit kërkoi që i padituri të paguante një detyrim ushqimor në favor të fëmijës të tij në masën 50 000 lekë në muaj.
I padituri në prapësimet e tij nuk i pranoi pretendimet e ngritura nga paditësja në lidhje me masën e detyrimit të kërkuar nga ajo. Ai deklaroi se, edhe për të kishin ndryshuar rrethanat që nga koha e zgjidhjes së martesës, pasi ai ishte martuar përsëri dhe nga martesa e tij e dytë, ai kishte dy fëmijë të mitur, e provuar kjo me çertifikatën e përbërjes familjare datë 02.04.2010 të administruar në dosje.
Megjithatë, ai deklaroi se i njihte dhe pranonte detyrimet prindërore dhe ishte dakort që detyrimi i vendosur nga Gjykata me zgjidhjen e martesës me paditësen të rritej, por jo në masën e pretenduar nga ajo. Në varësi të të ardhurave të tij, ai ishte dakort që ky detyrim të bëhej deri në 10 000 lekë në muaj. Sa sipër,Gjykata pasi e shqyrtoi çështjen, çmon se kërkesë-padia duhet pranuar pjesërisht.
Kështu, Gjykata e konsideron si të drejtë pretendimin e paditëses se ky detyrim duhet shtuar, pasi ajo e provoi me prova shkresore se rrethanat në bazë të të cilave është dhënë vendimi i zgjidhjes së martesës kanë ndryshuar. Kështu, vendimi është dhënë në vitin 1999 dhe që nga ajo kohë fëmija është rritur dhe shkon në shkollë, e kërkesat e tij janë gjithmonë në rritje, të provuara këto me mandat pagesën dhe vërtetimet e paraqitura nga paditësja në seancë gjyqësore.
Për këto arsye, Gjykata e konsideron si të drejtë kërkesën e paditëses që detyrimi ushqimor i të paditurit ndaj fëmijës së tij të shtohet.
Lidhur me kërkimin e paditëses që ky detyrim ushqimor të bëhet 50 000 lekë në muaj, Gjykata çmon se, ky kërkim i paditëses nuk është i bazuar, pasi paditësja nuk paraqiti asnjë provë shkresore për të justifikuar këtë kërkim të sajin.
Gjykata çmon se ky kërkim i paditëses nuk është në përputhje me të ardhurat e të paditurit si dhe faktin se ai ka krijuar një familje të re për të cilën i duhet të kontribuojë.
Sipas vërtetimit datë 04.03.2010 të lëshuar nga RTV ORA NEWS, rezulton se paga mujore bruto e të paditurit është 80 000 lekë në muaj.  Sa sipër, Gjykata çmon se detyrimi ushqimor duhet të shtohet në masen 10 000 lekë në muaj e jo në masën e kërkuar nga paditësja, nisur kjo nga mosha e fëmijës, fakti që fëmija është në rritje e me kërkesa po ashtu në rritje, si dhe niveli i sotëm i jetesës.
Në bazë të nenit 210 paragrafi 2 i K.Familjes, ky detyrim do të fillojë të zbatohet që nga data e ngritjes së kërkesëpadisë, e cila është dt 09.02.2010.
Sa sipër u provua me provat e administruara në dosje e thëniet e palëve në proces.
PER KETO ARSYE
Gjykata në bazë të nenit 306 e vijues të K.Pr.Civile
VENDOSI
Shtimin e detyrimit për ushqim, duke u detyruar i padituri Alfred Peza të paguajë një detyrim ushqimor në favor të fëmijës së tij Rubens Peza i datl.1996, në shumën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj.
Ky detyrim fillon nga dita e ngritjes së padisë data 09.02.2010.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 15 ditëve, afat ky që fillon nga e nesërmja e shpalljes të vendimit.
U shpall në Tiranë datë 21.04.2010.
SEKRETARE GJYQTARE
Beglie NURA Rezarta BALLIU (Vigani)
SHPENZIME GJYQËSORE
Nuk ka”

Artikulli paraprakIndrit Hoxha padit policinë për dëshmi të rreme në gjyq
Artikulli tjetërKryeministria si bordello, policia heton ‘punëmarrësin’