Banorët ashpërsojnë tonet: Policët civilë të rrinë sa më larg Unazës, dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë

Policia e Shtetit ka intesifikuar ndërhyrjen e saj në zonën e Unazës së Re, ndërsa gjatë ditës së djeshme ka arrestuar babë e bir, Eni dhe Maliq Ferhati.

Në një prononcim për Fax News, dy banorë nga më aktivët në protesta, Lutfi Kastrati dhe Gëzim Sadikaj shprehën gadishmërinë e tyre se qëndresa do të vijojë, dhe se punonjësit e policisë të veshur si civilë nuk do të lejohen në Astir.

Sipas Kastratit, gjatë ndërhyrjes së djeshme të Policisë është ushtruar terror te banorët, dhe tashmë beteja do të jetë e vazhdueshme. Banori i Astirit shton më tej se Eni Ferhati që është arrestuar dje nga policët civilë është dhunuar, dhe ai kërkon reagim për këtë çështje dhe nga institucioni i Avokatit të Popullit.

“Policia e Shtetit ka 9 muaj që po pret një sebep për të na goditur, incidentet kanë nisur që parmbrëmë. Policët e qarkullimit bënin me shenjë që të kalonin makinat, në mënyrë që të kishte përplasje me ne. U ndjemë të kërcënuar nga prania e madhe e punonjësve të policisë, ka pasur një konflikt të vogël me punonjësit e policisë. Dhe që prej asaj nate, policia po kërkon që të godasë personat që janë më aktivë, pas protestës së mbrëmshme, punonjësit e policisë, në shumicë dërrmuese civilë, kanë sulmuar fillimisht familjen Ferhati.

Në pronën e tij djali ka kundërshtuar punonjësit civilë, pasi nuk e ka ditur se cilët ishin ata. E kanë rrahur më pas në makinën e policisë, dhe në drejtorinë e Policisë, ndërkohë që kanë vijuar kontrollet në disa banesa, pasi kanë shpallur në kërkim dhe persona të tjerë. Kanë demostruar forcë dhe kanë bllokuar rrugët, banorët po vazhdojnë që të kursehen, pasi qëllimi ynë nuk është përplasja me policinë e shtetit, veçanërisht me ata që janë të veshur me uniformë. Civilat të rrinë sa më larg Unazës, pasi dhunës do ti përgjigjemi me dhunë, ne do të mbrojmë pronën tonë nga ky projekt korruptiv”, u shpreh Lutfi Kastrati.

Sadikaj zbulon se aksioni i policisë është shtuar, pas një vizite që Ardi Veliu ka pasur tre ditë më parë në zonën e Unazës. Ai bën një thirrje të fortë dhe për opozitën, të cilës i kërkon që të reagojë, bashkë me ta në terren, dhe të mos dalë vetëm për të bërë foto.

“Ardi Veliu para tre ditëve ishte në Unazën e Re, dhe dha urdhër që të ndërhyhej pasi sipas tij kishte pak banorë. Sesi do ti mbrojmë ne banesat tona, le të vijë dhe ta provojë Edi Rama dhe Erion Veliaj, këtu është llogaria e bërë. Ne më mirë të vdesim krenar dhe me nder, ama shtëpitë tona do ti mbrojmë deri në fund.

Nuk durojmë dot më, po rrimë në rrugë të madhe. Këta të detyrojnë të përdorësh çdo mjet, të durojmë sa të vijnë në shtëpitë tona. E kanë dhunuar familjen Ferhati në punën e vetë, e kanë marrë zvarrë. Iu bëj thirrje opozitës të dalin me ne, o sot o kurrë, të mos vijnë te ne vetëm për të bërë foto, sepse ne kauzës sonë do ti qëndrojmë deri në fund”, tha Gëzim Sadikaj.

Artikulli paraprakPolicia sulme të koordinuara te Teatri dhe Astiri, flasin banorët: Efektivët e arrestimeve të veshur me brekë të shkurtra!
Artikulli tjetër“Toyota Yaris”/ Mbërrijnë në Tiranë prokurorët belgë, në pyetje edhe Taulant Balla, takimi mbahet sekret