Kryetari i opozitës Lulzim Basha, ishte sot në Shënavlash, njësi administrative e bashkisë së Durrësit, ku pa nga afër gjendjen e banorëve të dëmtuar nga tërmeti. Basha u njoh nga afër me situatën, ku ishin vetë banorët ata që deklaruan se janë lënë në harresë nga shteti.
“Nuk jemi mirë hiç. Prej 3 javësh rrimë në plastmas, vetë i gjashti. Njeri me na pa kërkush jo. Kanë vu shiritin dhe s’ka ardhur askush me na pa. As ushqim asgjë. Shkova në komunë, por më tha: ndihma. Nuk dua ndihma, dua një çadër se jam jashtë. Çadër nuk ka”, thotë një i moshuar teksa tregon edhe një çadër të sajuar me plastmas në oborrin e shtëpisë së rrethuar me shirit nga policia.
Banorët apeluan për ndihmë, pasi nuk dinë se çfarë të bëjnë. Nuk kanë as ku të fusin kokën, ndërkohë që rindërtimi banesave nuk është i mundur pa fonde. Gjatë bisedës me banorët e Shënavlashit, Basha ripërsëriti edhe njëherë thirrjen për qeverinë që të lëvrojë fondet që banesat e fshatit të ndërtohen nga vetë banorët që të mos presin me vite.
“Po ta rregullojnë ata e bëjnë me tender. Gjysmat e parave do ti vjedhin, mos më shumë. Prandaj, në veçanti për shtëpitë në fshat, zgjidhja është fare e thjeshtë: Vlerësohet dëmi dhe nxirret fondi për të ndërtuar shtëpitë”
Shefi i opozitës e quajti situatën pas tërmetit dramatike dhe drejtoi gishtin tek shteti.
“Jemi shumë të shqetësuar nga kjo situatë. Kudo e njëjta situatë. Filloi java e katërt dhe shumica e familjeve janë pa çadra, pa siguri, pa qartësi për banesat e tyre. Tek Isa, komshiu juaj isha, kishin vënë një shirit para disa ditësh dhe asgjë. As kishin ardhur me i pa, asgjë fare. Me dhjetëra mijëra familje në këtë situatë janë. E pamundur të vazhdohet kështu. Kjo është e papranueshme. Kjo nuk është fatkeqësi natyrore më. Kjo është fatkeqësi njerëzore. Ky është dështim i shtetit. Shteti nuk mund të lejë as dy familje kështu, jo me dhjetëra mijëra familje”, tha Basha, ndërsa apeloi banoret që të mos rrezikojnë jetën duke banuar në këto shtëpi.
“Në mënyrën më absolute nuk do të futeni brenda pa pasur një letër që ju thotë futini brenda, me firmë e garanci nga shteti. Kush guxon me e dhënë atë letër, të marrë përgjegjësinë. Atëherë po. Nuk besoj se ka njeri guximin të vijë e t’ju thotë: futuni brenda në këtë shtëpi.”
Në secilën prej banesave të Shënavlashit, Basha merr të njëjtën përgjigje: Askush nuk ka shkuar ti shohë e tu japë zgjidhje.
“Tërmeti është forcë e natyrës, është punë e Zotit. Përgjigja ndaj tërmetit, shpëtimi i njerëzve, ardhja në ndihmë njerëzve që janë pa shtëpi, mbajtja e ndihmës hapur në kuptimin e ushqimeve, medikamenteve, ndihmës për të moshuarit, çuarjes së fëmijëve në shkollë, kjo është detyrë e shtetit, e atij që merr taksat e shqiptarëve, e atij që ka qesen e taksave. Kjo punë pa para nuk bëhet. Ne fjalën kemi, ata që kanë qesen e parave duhet ta zgjidhin dhe në vend që të bëjnë dërr-dërr nga mëngjesi deri në darkë, të sjellin paret”, – deklaroi Basha duke iu përgjigjur ankesave të banorëve të kësaj zone për harresën nga shteti.
Në një banesë në qendër të fshatit, familjarët thonë se askush nuk i ka parë e dëgjuar. Madje ata hedhin dyshime se kjo është edhe ndarje politike.
“Ne me sa duket meqë jemi demokratë, na kanë ndjekë më tepër këto…”, – thotë i zoti i shtëpisë, shqetësim që merr menjëherë apelin e fortë të kryetarit demokrat.
“Ju ka ndarë politikisht? Këtë më thanë. Vetëm 3 veta kanë marrë bonus qiraje. Kjo është kriminale. Kjo nuk është fushatë elektorale. Si mundesh me i nda në socialistë dhe demokratë, njerëzit që u janë prishur shtëpitë! Ky është dështim, është korrupsion, kjo është babëzi. Ky është dështim total. Katër javë pasi ka ndodhur kjo, mos me ardhë me i pa njerëzit, mos me iu thënë hyn apo nuk hyn. Nëse nuk hyn, ja ku i ke paratë, rregulloje shtëpinë”, apeloi kryetari i opozitës.
Në Shënavlash, janë mbi 40 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti dhe qindra banorë janë pa një vend ku të fusin kokën.