Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me disa prej familjeve të përmbytura në Bashkinë e Kamzës, ku zonat më problematike janë Valiasi, Frutikultura, Laknasi dhe një pjesë e Bathores. Nga takimet me banorët e prekur, kreu i opozitës konstatoi se dëmet janë të mëdha, por fatmirësisht, kryebashkiaku Xhelal Mziu, ia ka dalë, pa mbështetjen e pushtetit qëndror, të nxjerrë nga rreziku i përmbytjes më shumë se 250 familje.
Pa asnjë paralajmërim ndaj qytetarëve të Tiranës, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj pasditen e të enjtes urdhëroi hapjen e portave të digës së Liqenit të Bovillës, duke tmerruar banorët e zonave përreth nga vërshimi i papritur i ujit që përfshiu tërësisht banesat e tyre si dhe gjithçka tjetër përreth.
Pavarësisht vështirësive, Kryetari i Partisë Demokratike, inkurajoi kryebashkiakun Xhelal Mziu të bëjë gjithçka për t’u ardhur në ndihmë banorëve me mjetet që ka në dispozicion. Ai u kërkoi qytetarëve t’i përgjigjen thirrjes për evakuim. “Situata do të përkeqësohet prapë sonte. Të nxjerrim njerëzit, të shpëtojmë njerëzit. Mos të rrinë pas lopëve, por të shpëtojnë njerëzit, pastaj hap pas hapi të tjerat. Vëmendja kryesore duhet patur tek jeta e njerëzve”.
“U takova me familjet e përmbytura në Bashkinë e Kamzës. Dëmet janë të mëdha. Kryebashkiaku Mziu është pa mbështetjen e autoriteteve, por ia ka dalë të ndihmojë mbi 250 familje të rrezikuara. Banorët më treguan se u përmbytën për shkak të shkarkimit të liqenit të Bovillës pa u paralajmëruar. Inkurajova kryebashkiakun Xhelal Mziu të bëjë gjithçka për t’u ardhur në ndihmë banorëve me mjetet që ka në dispozicion. Mziu më tha se, eskavatorin që i takonte me vendim qeverie, ia ka marrë Bashkia e Tiranës. Deri tani, në zonë ka shkuar vetëm një makinë ushtrie për 11 persona në rrezik. Megjithatë, i kërkova zotit Mziu dhe banorëve që takova, që të kenë prioritet evakuimin e qytetarëve”, theksoi Basha në një reagim pas vizitës në Kamëz.
Tre herë që përmbytemi, askush nuk na ka ndihmuar
Mziu: Shumicën e tyre e kemi çuar nëpër shtëpi.
Basha: Sa familje?
Mziu: Janë më shumë se 250 familje.
Basha: Por, pa zjarrfikëse, pa ekskavatorë, si e përballove?
Mziu: Nuk kemi asgjë, vetëm duke komunikuar me privatin. Ja ku është një fadromë e privatit. Kemi një fadromë të ujësjellësit që nuk di ku të shkojë më përpara”.
Kur qeveria shpërndau nga 1 eskavator për 61 bashkitë e vendit, atë që i takonte Kamzës e ka marrë Bashkia e Tiranës. Por as në këto 24 orë të vështira, Bashkia e Kamzës nuk është ndihmuar nga Shtabi i Emergjencave.
Mziu: “Erdhi një zjarrfikëse, ishte bashkë me njerëzit brenda. Ndejti një orë e gjysëm, më pas erdhi një makinë ushtrie. E vetmja gjë që ka ardhur një makine ushtrie dhe stop”.
Edhe banorët e përmbytur pohojnë të njëjtin realitet, se në ndihmë të tyre nuk ka asnjë autoritet përveç bashkisë.
Banor: “Tre herë ka që përmbytem, nuk na ka ardhur kush mbrapa. Vetëm të na kishin pyetur. Vetëm Xhelali ka ardhur. Këtë qeveri që kemi ne, mos e pastë kush në botë se na mori në qafë”.
Banorët dhe kryebashkiaku Mziu i treguan kryetarit Basha si u përmbyt një pjesë e madhe e Bashkisë së Kamzës.
Mziu: “Kanë hapur Bovillën mbrëmë në kulmin e ujit. Ata e dinin se si do të shkonte situata, mund ta kishin hapur pardje, le të themi. Ka ardhur presioni i ujit dhe ka shpërthyer në të gjithë zonën e Kamzës”.
Basha: “Katastrofë”.