Banorët e Himarës në çadrën e lirisë paralajmërojnë Ramën

Himariotët u zotuan dje në çadrën e protestës qytetare se do të mbrojnë tokat e tyre me jetë. Banorët e Himarës marshuan pranë çadrës së lirisë ku për të njëmbëdhjetën ditë zhvillohet protesta opozitare dhe qëndresa popullore për të ngritur edhe ata zërin e shqetësimit të tyre. Për këtë Himara i kujtoi kryeministrit disa vargje të himnit shqiptar:
Në duar armët do t’i mbajmë/ të mbrojmë atdheun në çdo kënd/ të drejtat tona ne s’i ndajmë/ këtu armiqtë s’kanë vend.
Kreu i selisë blu Basha i quajti banorët e Himarës një dëshmi të gjallë të grabitjes shtetërore të pronave dhe pasurive të tyre nga një grusht oligarkësh nën maskën e një pushteti abuziv dhe arrogant.
“Sot nga ky shesh dua t’i them gjithsecilit prej jush se republika e re do të jetë republika e të drejtave themelore të çdo qytetari të saj dhe se pronat tuaja do të jenë nën mbrojtjen e sigurisë së Kushtetutës dhe ligjit. Askujt s’do i shkojë ndërmend të luajë me pronat dhe fatin tuaj”.
Kjo është sfida sipas zotit Basha. Zgjedhje të lira e të ndershme që do të rikthejnë të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar në liri pronat.
Kryetari demokrat, Lulzim Basha, i cili po zhvillonte një bashkëbisedim me pensionistët, i ftoi protestuesit himariotë të dëgjohen nga agora e qytetarëve.
“Grabitja e pasurive publike dhe pronës është tipar i kësaj qeverie dhe për të ngritur zërin kundër grabitjes së pronave sot protestës i janë bashkuar qindra banorë nga Jugu i Shqipërisë, nga Himara, nga zona të tjera të vendit. Unë dua t’i mirëpres sot në këtë shesh të protestës dhe lirisë për të thënë fjalën e tyre, për të drejtat e tyre të patjetërsueshme, kushtetuese, siç është e drejta e pronës. Kundër kësaj qeverie të bandave që po i vjedh, po i tjetërson dhe po i falsifikon pronat”.
Të mbledhur me një pankartë ku shkruhej: Kryeministër mos na i prishni shtëpitë dhe bregun e detit; banorët e Himarës ngritën zërin për projektet e qeverisë, të cilat për ta janë jo vetëm të paqarta, por edhe në shkelje të Kushtetutës së Republikës.
Për Nikollaq Neranxin, Himara ka kaluar shumë kryeministra, por të gjithë kanë mbetur miq të qytetit bregdetar përveç Edi Ramës.
“Edi Rama në emër të disa projekteve të paqarta po shkatërron pronat tona. Po shkatërron historinë e një vendi të lashtë. Këto projekte i ka fshehur pas një gjuhe nacionaliste shumë të rrezikshme. Himariotët po përjetojnë dramë. Rama po bën gjenocid në zonën tonë. Pak na përzë, por edhe na grabit”.

Artikulli paraprakRama, i pashpresë, beteja do fitohet
Artikulli tjetërKauza dhe misioni i Lulzim Bashës!