Banorët e Krujës dhe Fushë-Krujës kanë protestuar pasditen e sotme para Parlamentit, teksa paralelisht ka nisur edhe sesioni i ri parlamentar.
Ata bënë thirrje që kërkesa e tyre të merret parasysh që të kenë mundësi hyrje-dalje në aksin Thumanë-Kashar, e cila është bllokuar që me hapjen e autostradës pak javë më parë.
Banorët kanë disa javë që protestojnë duke bllokuar autostradën Thumanë – Kashar. Ata janë shprehur se këtë çështje do ta çojnë në SPAK dhe se po ashtu kanë nënshkruar edhe një kallëzim për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Rruga Thumanë – Kashar është ndërtuar tërësisht me fondet e kompanisë private Gener 2. Edhe pse i kanë dalë disa herë në krah protestës se banorëve, asnjë nga drejtuesit apo deputetët e PD nuk e përmend emrin e kësaj kompanie me pronar Bashkim Ulaj.
Pagesa për këtë rrugë është 270 lek të reja. Edhe pse pretendohet se është totalisht investim privat, kompania Gener 2 kompensohet nga shteti shqiptar nëse në rrugën Thumanë – Kashar nuk kalojnë 28 mijë mjete në ditë. Kompensimi kap shifrën e 8 milionë eurove.