Banorët e Kukësit bllokojnë sërish “Rrugën e Kombit”, kërkojnë lirimin e 11 të burgosurve

Qindra protestues në Kukës kanë bllokuar sërish sot në mbrëmje Rrugën e Kombit. Bëhet e ditur se, qytetarët e Kukësit e kanë bërë këtë gjest mosbindjeje civile si thirrje ndaj organeve të drejtësisë që të lirojnë nga masa e “arrestit me burg” 11 kuksianët, të cilët protestuan në 31 mars në Rrugën e Kombit për heqjen e tarifës prej 5 eurosh të vënë nga qeveria.
Protesta e pasdites së sotme nisi në qytetin e Kusësit tek Komisariti i policisë dhe u drejtua për në segmentin e Rrugës së Kombit pranë qytetit duke e bllokuar atë në shenjë proteste.
Mësohet se pas 15 minutash bllokimi protestuesit janë tërhequr duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve drejt kryeqytetit.
Banorët kanë rrethuar komisariatin e policisë dhe hedhin parrulla, “Lironi vëllezërit tanë”, “Faleminderit që nuk u dorëzuat!”, “Poshtë diktatura”, “Rama ik”, etj.
Arrestimet ndodhën gjatë natës së të dielës, ku 23 qytetarë u rrëmbyen nga shtëpitë pas protestës së zhvilluar në mesditë në rrugën e Kombit për të kundërshtuar vendosjen e tarifës në këtë aks rrugor.
Të arrestuarit u transferuan drejt Tiranës, ndërsa prej të dielës, para drejtorisë së Policisë së Tiranës, qytetarët kërkonin lirimin e protestuesve.

Artikulli paraprakMesazhi i Ramës që na kushtoi 150 mijë euro vetëm të mos shkojë në Kukës nga frika
Artikulli tjetërMos e përjashtoni Ramën