Banorët e Kukësit në protestë kundër ndërtimit të HEC-ve

Banorët e nëntë fshatrave të Topojanit e Shishtavecit, kanë protestuar sërish kundër vendimit të qeverisë për ndërtimin e pesë HEC-ve në këte zonë. Banorët thonë se, ndërtimi i këtyre HEC-ve është shkatërrim i natyrës dhe ekosistemit. Ata kërkojnë nga qeveria anulimin e vendimit për ndërtimin e HEC-ve dhe paralajmërojnë përshkallëzim të protestës.
Zona ku është dhënë leja për hidrocentralet është park natyror dhe përfshin ekosistemin natyror malor Korab – Koritnik me fshatrata Shishtavec,Topojan, Turaj, Breki, Nimçë, Shtrezë, Kollovoz dhe Novosej.
Banorët e këtyre zonave paralajmërojnë kundërshtim të ashpër të projekteve të qeverisë. “Ato centrale nuk mund t’i bëjë, sepse zona jonë është zona më e varfër ekonomikisht. Shyqyr që na ka dhënë atë pasuri, atë ujë që të jetojë populli dhe ata duan të na e vjedhin. Kjo nuk është e drejtë e qeverisë”, tha një banor.
Banorët thanë se nuk do t’i ndalin protestat. “Ka dalë i gjithë populli i kësaj zone për politikat e hajdutëve dhe keqbërësve që janë bërë në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të devijimit të lumenjve dhe prishjen e ekosistemit. Të mos marrë asnjë guxim që të vendosë hidrocentral në këtë zonë. Jemi të vendosur ta mbrojmë këtë zonë deri në vdekje”, thonë banorët.

Exit mobile version