Banorët e Labovës akuzojnë Tavon: Na ka lënë pa bukë

Banorët e fshatit Labovë e Kryqit kanë akuzuar deputetin e LSI, Vangjel Tavo, se i ka lënë pa punë dhe pa bukë. Banorët i janë ankuar kandidatit për deputet të PD, Tritan Shehu, për shkarkimet nga puna që janë ndërmarrë vitet e fundit me autor Vangjel Tavon dhe eksponentë të tjerë të qeverisjes. Mjaft prej banorëve, janë shprehur të indinjuar me deputetët e këtyre 25 viteve pluralizëm politik, por më të goditur kanë qenë nga deputeti i LSI Vangjel Tavo. Ky i fundit për interesa partiake, ka lënë pa bukë dhjetëra familje të zonës.
Shembullin konkret e ka dhënë intelektuali Gjergji Dhivra, i cili e shikon të pashpresë situatën. Sipas Dhivrës, Tavo e ka hequr nga puna dhe si ai edhe të tjerë. PD duhet të fitojë për të rikthyer shpresën, u shpreh Dhivra.
Nga ana e tij, Shehu premtoi se me ardhjen e PD në pushtet pas 25 qershorit, gjithçka do të shkojë në vend. Unë ju ofroj veten time dhe pas 25 qershorit do të jemi përsëri bashkë, do të zgjidhim hallet e komunitetit, pasi unë jam nga ata të cilët di të bashkëpunoj me njeriun, sepse jam mjek, u shpreh Shehu, duke siguruar se lidhjet me këta banorë pas fitores së datës 25 të këtij muaji, do të jenë të më forta.
Kandidatët për deputetë të PD në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu e Qamil Xhelili, kanë zhvilluar një takim me banorët e Buzit në Tepelenë. Shehu u shpreh se në qendër të programit të PD, është qytetari, pasi mendojmë të zhvillojmë vendin për të përmirësuar jetën e tij. Ndërsa ne themi që një vend që të zhvillohet ekonomikisht duhet ta ndjejë qytetari, nga ana tjetër Edi Rama shprehet se ka rritje ekonomike. Kjo rritje ndjehet nga një grup oligarkësh që marrin miliardat, u shpreh Shehu. Termometri i matjes së zhvillimit ekonomik të një vendi, është qytetari dhe të thuash që Shqipëria zhvillohet ekonomikisht dhe qytetari nuk e ndjen, është arrogancë dhe prepotencë ndaj qytetarit, ku e trajton këtë të fundit si një skllav për ta shkelur me këmbë, u shpreh kandidati Shehu.
Ne nuk jemi si faraonët e Egjiptit dhe skemi këtë raport me qytetarët, pasi jemi demokratë dhe besojmë në zhvillimin ekonomik të qytetarit. Zoti Shehu u ndal tek zona e Buzit, e cila po diskriminohet nga qeveria, pasi tradicionalisht banorët e tij, kanë votuar PD.
Ju sjellin punonjës të mirëmbajtjes së rrugës nga zona të tjera, sepse janë të LSI dhe PS, personel shëndetësor dhe infermierët nuk vijnë fare, sepse kanë një teser partie që e përdorin si dokument për të marrë një rrogë, u shpreh kandidati Shehu, duke vazhduar se, janë këto arsyet që juve duhet të besoni tek PD si familja juaj politike. Nga ana e tij, kandidati Qamil Xhelili, si djalë i zonës, shprehu besim të plotë se banorët e zonës, do të votojnë si gjithmonë PD.

Exit mobile version