Banorët e Laprakës në protestë: Po i trajtoni qytetarët si talebanë! Jemi të vendosur, nuk dalim nga shtëpitë

Banorët e Laprakës, banesat e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe, kanë dalë sërish në protestë.

Protestuesit kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut, ndërsa akuzojnë se “projekti u devijua drejt shtëpive të tyre për t’i hapur rrugë ndërtimit të pallateve nga biznesmenë pranë qeverisë”.

Në këto momente banorët i kanë vënë zjarrin një kazani mbeturinash, ndërsa paralajmërojnë se do të bllokojnë edhe rrugën.

Protestuesi dhe gazetari Bled Marku u shpreh se banorët e Laprakës i pret i njëjti fat si ata të lagjes “5 maji”.

“Nëse nuk vini ju te protesta jonë, do të vijmë poshtë zyrave tuaja. Ju po i trajtoni qytetarët si talebanë. 110 banesa janë me leje legalizimi. Të vijnë dhe të shohin projektin e Laprakës”, u shpreh Marku duke akuzuar se pranë banorëve të Laprakës nuk ka shkuar asnjë deputet i opozitës në mbështetje të tyre.

“Kushdo që afrohet në këtë lagje t’i bëjë llogaritë mirë se po eskalon kjo situatë. Do të përshkallësohet edhe më keq. Nuk janë para droge, para prostitucioni, por të gjitha janë para djerse. Askush të mos mendojë dhe të vijë në këtë zonë me rruspa ose pa rruspa dhe të tentojë të prishë banesat pa na dhënë një zgjidhje. Këtu do t’ju ngecë sharra në gozhdë nuk është si të gjitha zonat e tjera të Tiranës”, tha ai.

Protestuesit deklaruan se do të vijojnë rezistencën e tyre dhe se nuk do të dalin nga shtëpitë.

Artikulli paraprakÇmontimi i Rafinerisë së Ballshit, Alibeaj pyet kryeministrin: Për llogari të kujt oligarku po çon uzinën për skrap 
Artikulli tjetërBardhi email degëve të PD: Dërgoni informacion për përdorimin e simboleve të partisë pa autorizim