Banorët e Lumasit sërish në protestë për burimin e ujit, policia ushtron dhunë, plagosen rëndë 3 persona

Banorët e Lumasit në Kuçovë kanë dalë sërish sot në protestë për burimin e ujit të Sinecit, por janë përballur sërish me dhunën e policisë.

Burime bëjnë me dije se, si pasojë e përplasjeve me policinë, 3 banorë të zonës kanë mbetur të plagosur, ndërsa në vendngjarje ka dhe efektivë të ekipit ‘Shqiponja’.

Kjo është një përplasje e përsëritur në këtë zonë, pasi banorët kundërshtojnë ndërtimin e një ujësjellësi që sipas tyre do të shkatërronte burimin e Sinecit, që është kthyer dhe në një atraksion turistik.

Banorët janë kundër shfrytëzimit të ujit të burimit për një ujësjellës të bashkisë, ndërsa kanë bllokuar fadromat e firmës private.

Sipas banorëve projekti është bërë pa u konsultuar me ta dhe është shpallur edhe firma fituese, e cila ka filluar edhe punimet.

Po ashtu ata pretendojnë se burimi përdoret prej shekujsh për vaditjen e tokave dhe për kafshët dhe nuk do të lejojnë vijimin e projektit.

Banorët kanë hartuar një peticion dhe pritet të hedhin në gjyq bashkinë e Kuçovës.

Artikulli paraprak“Kanë dhënë deri 300 euro për votë”, deklarata e fortë e juristit të PD në KAS: Kemi listën me emra e mbiemra…
Artikulli tjetërSi u grabit banesa e efektivit të policisë në Tiranë, autorët thyen xhamin e dritares dhe…