Banorët e Mbrostarit: Nuk na tremb presioni i policisë

Banorët e Mbrostarit janë hedhur sërish në protestë dje, duke bllokuar rrugën nacionale për rreth një orë. Burra, gra dhe fëmijë, me pankarta në duar janë grumbulluar që në orët e para të mëngjesit, duke kërkuar anulimin e vendimit të Bashkisë së Fierit për ndërtimin e fabrikës së përpunimit të mbetjeve.
Banorët deklaruan se nuk do të tërhiqen nga protesta e tyre, megjithë presionin dhe arrestimet e kryera nga policia. “Nuk na tremb presioni dhe dhuna e policisë. Sot, policia ka paditur edhe pesë protestues të tjerë, ndërsa mbrëmë natën ka ushtruar terror në disa familje, duke u kërkuar banorëve që të mos dalin në protestë, por ne nuk tërhiqemi. Ne do të vijojmë protestën, derisa të anulohet vendim i Bashkisë së Fierit për fabrikën e plehrave”, u shpreh një nga protestuesit.
Protesta e banorëve të Mbrostarit është mbështetur edhe nga Dega e PD Fier. “Banorët e Mbrostarit vazhdojnë të protestojnë të vendosur kundër impiantit pranë zonave të banuara. Kjo protestë është një e drejtë legjitime e tyre. Burra, gra dhe fëmijë, me pankarta në duar kundër plehrave. PD Dega Fier dhe këshilltarët e saj në Këshillin Bashkiak janë në mbështetje të tyre”, bën të ditur PD Fier.
Ndërkohë, Policia e Fierit vazhdon gjuetinë e shtrigave ndaj protestuesve, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës së plehrave në Mbrostar. Pas arrestimeve, Policia e Fierit ka nisur procedim penal për disa protestues të tjerë. Bëhet e ditur se, pesë protestues nga fshati Mbrostar i Fierit i janë shtuar numrit të dhjetëra të akuzuarve të tjerë po nga ky fshat si dhe nga fshati Mbyet. Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Fier kanë proceduar penalisht edhe shtetasit A.G, 51 vjeç, G.V, 51 vjeç, Sh.V, 49 vjeç, S.T, 50 vjeç, dhe G.M, 17 vjeç, të pestë banues në fshatin Mbrostar Ura, Fier.
Në njoftimin e policisë thuhet se, këta shtetas më datën 25.11.2016, ora 10:30, në aksin rrugor Lushnjë-Fier, në vendin e quajtur “Mbrostar Ura”, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë marrë pjesë në një grumbullim të paligjshëm, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit në rrugë nacionale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Exit mobile version