Banorët e Mëmëlishtit në protestë, u rrezikohen banesat nga minat

Mbi 40 banesa në fshatin Mëmëlisht të Pogradecit, të cilat janë të vendosura përgjatë rrugës së Çervenakës, rrezikojnë shembjen për shkak të punimeve që pretendon të kryejë një kompani për shfrytëzimin e minierave. Banorët pohojnë se problemi i tyre nuk është i ri, sepse historia ka nisur qysh 3 vite më parë kur kjo firmë gërmoi në galeritë që janë më lart rrugës dhe punonte me shpërthim minash, gjë e cila shkaktoi çarje dhe plasaritje në muret e shtëpive të tyre. Asokohe ata punuan 6 muaj dhe u larguan, por tashmë janë rikthyer sërish. Por për të punuar në një distancë jo më larg se 20-30 m nga shtëpitë dhe për më tepër do të punojnë me shpërthim minash duke rrezikuar seriozisht banesat dhe jetët e banorëve.
Prej tre ditësh banorët protestojnë dhe konfliktohen me inxhinerët e firmës dhe nuk i lejojnë të vijojnë më punimet, banorët shprehen se banesat i kanë me leje dhe nuk do të lejojnë që ato t’u shkatërrohen nga një firmë, e cila kërkon të nxjerrë mineral për përfitimet e saj, duke iu shkatërruar shtëpitë e tyre. Nuk ka munguar edhe dhuna mes palëve. Banorët kanë zhvilluar disa takime me n/kryetarin e Bashkisë Pogradec, i cili iu ka komunikuar se Bashkia është krah banorëve, por s’mund të ndërhyjë sepse firma është me të gjitha dokumentet përkatëse të dhëna nga Ministria e Energjetikës, e cila menaxhon minierat.

Artikulli paraprakTritol administratorit që po ndërton fabrikën e mbetjeve spitalore në Shijak
Artikulli tjetërVlorë, një nënë e re humb jetën në spital gjatë lindjes