Banorët e Selitës dhe rrugës “Irfan Tomini” në zonën e Tiranës së Re dolën në protestë ditën e djeshme kundër mbylljes së rrugës “Myrteza Zeneli” që lidh këto dy lagje për shkak të punimeve që po bëhen për Unazën e Madhe. Ata kanë vendosur koshat e mbeturinave për të bllokuar punimet. Banorët thanë se, nuk kanë ku të kalojnë dhe duhet t’i bien nga pallati me shigjeta për të shkuar nga njëra zonë në tjetrën. Ata kanë kërkuar ndërtimin e një mbikalimi nga ana e Bashkisë në mënyrë që të mos shkojnë deri tek pallati me shigjeta për të mbërritur në shtëpitë e tyre dhe anasjelltas.
Janë rreth 300 familje që ndajnë të njëjtin shqetësim dhe i kanë dërguar madje edhe dy letra Bashkisë së Tiranës, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. “Kjo rrugë mbi 70-vjeçare, lidh këto dy lagje. Nuk kemi ku të kalojmë. Kërkojmë nga Bashkia të na ndërtojë mbikalim. Mbyllja e rrugës ka bllokuar lëvizjen nga dy krahët. Duhet t’i biem nga pallati me shigjeta për të kaluar. Nëse lihet pa mbikalim do të ketë viktima. Mbi 300 familje i janë drejtuar me 2 letra Bashkisë”, kanë deklaruar banorët.
Ndërkohë, banorët deklaruan se do të vijojnë protestën dhe paralajmëruan se do të bllojkojnë rrugën, derisa Bashkia t’i japë zgjidhje problemit të tyre. Ata i kanë kërkuar kreut të Bashkisë së Tiranës që të vijë dhe të ndjekë nga afër shqetësimet e tyre dhe t’i japë zgjidhje problemit.