Banorët e Tërbaç, 6 muaj pa ujë të pijshëm, faturat i paguajnë rregullisht

I kanë vënë kyçin depozitës kryesore të ujësjellësit. Në shtëpitë e tyre, uji të pijshëm nuk ka prej gjashtë muajsh. Banorët e fshatit Tërbaç në Gracen të Elbasanit po kalojnë kohë të vështira.
Por si të mos mjaftonte thatësira, atyre u vijnë faturat me  4200 lekë të vjetra. Asnjë nga fshatarët nuk ka lidhur kontratë dhe dyshojnë që ato mund të jenë falso  Kjo i ka zemëruar  banorët, të cilët prej 16 vitesh kanë investuar vetë për ujësjellësin, duke blerë pompa uji, tuba, kabllo elektrikë dhe duke paguar vetë energjinë.
Banorët i kanë kërkuar pushtetit vendor të ndërhyjë në ujësjellës. Të rregullojnë depozitat, të vendosin matësat dhe ata garantojnë se do ta paguajnë rregullisht ujin. Po kështu, të sigurohet edhe dezinfektimi dhe cilësia e tij. Për situatën ka reaguar edhe shefi i  Zyrës së Informacionit në Bashki, Besim Dybeli. Megjithatë banorët kërkojnë që ky problem të zgjidhet përfundimisht dhe jo vetëm me vendosjen e një pompe.
Ata akuzojnë Bashkinë se ka bllokuar depozitat, duke mos lejuar qarkullimin e ujit, ndërsa shtojnë se faturat vijnë me shumën fikse 4200 lekë të vjetra. Të revoltuar banorët thonë se, ata vetë kanë investuar për tubacionet e ujësjellësit, ndërkohë që uji është i ndotur dhe nuk përdoret për të pirë. “Morën ca pa pare. Puseta është kalbur me të gjitha. Ne i kemi blerë të gjitha vetë.
I kemi sajuar të gjitha vetë. Uji nuk kontrollohet asnjëherë. Na vijnë ca fatura false”, u shpreh një banore.
Bashkia e Elbasanit në reagimin e saj thotë se, bëhet fjalë për 57 familje dhe se Bashkia ka investuar për riparime, ndërsa faturat janë të ligjshme dhe me anë të tyre mirëmbahet ujësjellësi dhe punonjësi që kujdeset. Megjithatë, banorët kërkojnë që ky problem të zgjidhet përfundimisht dhe jo vetëm me vendosjen e një pompe.

Artikulli paraprakRevolta në prag, rrëzim qeverisë nga 18 shkurti
Artikulli tjetërVazhdon greva e urisë në Zharrëz të Fierit, përkeqësohet gjendja