Banorët e Unazës së Re prej më shumë se 120 ditësh vijojnë protestën kundër shembjes së banesave të tyre dhe vijimit të punimeve për zbatimin e projektit të Unazës së Madhe. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu tha gjatë fjalës së tij se, data 16 mars do të jetë një datë gjykimi ndaj vjedhjes së votës me paratë e krimit. Është dat,a që sipas tij, do të djegë pushtetin e pashpresë të Edi Ramës.
Balliu i bëri thirrje çdo qytetari që i është bërë ndonjë padrejtësi që ti bashkohen protestës së 16 marsit e cila sipas tij, do të shembë pushtetin e korruptuar të Edi Ramës.
“Kjo nuk është protestë, kjo është revoltë, dhe me rrevoltë janë marrë zvarrë jo Edi Rama por edhe diktatorë më të mëdhenj se ai. Këtu tek Unaza është shembulli se si ju dridhën këmbët Edi Ramës nga klëta qytetarë, se si u fsheh ai në vrimën e miut nga këta qytetarë, se ul kokën sa herë kujtohet për Unazën. Forca juaj është njëmijë herë më e madhe se sa forca e qeverisë së korruptuar”.
Balliu i bëri thirrje edhe ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës që të anullojë projektin pasi sipas tij, është korruptiv dhe genocid ndaj qytetarëve. Ai paralajmëroi se asnjë zyrtarë i qeverisë nëse nuk anullohet projekti, nuk do t’ju lejohet që të kalojnë kurrë në atë segment.
“Data 16 mars është kufiri, është limiti, çdo gjë e ka një limit, ky zotëri e ka kaluar vijën e kuqe dhe për këtë çdo qytetar ka të drejtë të shkojë tek kryeministria dhe ta bëjë hi pushtetin e Edi Ramës i cili ka mohuar zhvillimin dhe integrimin e vendit”, deklaroi Klevis Balliu.