Banorët e Unazës së Re, nuk janë tërhequr as sot nga protesta e tyre, me gjithë motin me shi. Jo vetëm kaq, por ata nuk janë mjaftuar as me masën e sigurisë “arrest në burg” për administratorin e kompanisë “DH Albania” Avdjol Dobi.
Për banorët e zonës së “Astiri”-it, “përgjegjësi i vetëm i skandalit me projektin e Unazës së Re, është Edi Rama. Sot, ai, Damian Gjiknuri dhe Afrim Qendro duhet të ishte në burg”, u shprehën banorët.
“Edi Rama ka mbaru…, ka mbaru…, ka mbaru.
Qeveria është rrëzu…, është rrëzu…, është rrëzu.
Qeveri e krimit…, qeveri e krimit…, qeveri e krimit”, ishin disa nga parullat që shoqëruan protestën e sotme të banorëve të Unazës së Re.
Deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari tha se banorët protestues të Unazës së Re janë kthyer në simbol të sakrificës dhe në simbol të bashkimit. Braimllari akuzoi kryeministrin Rama si një kryeministër antikombëtar.
“Banorët e Unazës së Re janë kthyer në simbolin e protestës, janë kthyer në simbolin e sakrificës, janë kthyer në simbolin e bashkimit, sepse gjëja më e shtrenjtë e tyre duhej të merrej dhe shkatërrohej nga një dhunues i pronës që ka vetëm një emër, Edi Rama. Edi Rama është një Kryeministër antikombëtar, një Kryeministër që dhunon pronën e qytetarëve të këtij vendi. E mbani mend shumë mirë dhe po e përsëris përsëri, çfarë i tha Edi Rama këtyre banorëve. Ju tha që nuk kanë para për dëmshpërblim, sepse paratë do ti çojnë për kopshte, çerdhe dhe spitale. Por çfarë ndodhi dy javë më pas?”, tha deputeti i LSI-së Endrit Braimllari.
Prononcimi i plotë
Sot është dita e 81-të banorëve që protestojnë çdo ditë në shi dhe breshër për të mbrojtur pronën e tyre. Banorët e Unazës së Re janë kthyer në simbolin e protestës, janë kthyer në simbolin e sakrificës, janë kthyer në simbolin e bashkimit, sepse gjëja më e shtrenjtë e tyre duhej të merrej dhe shkatërrohej nga një dhunues i pronës që ka vetëm një emër, Edi Rama.
Edi Rama është një Kryeministër antikombëtar, një Kryeministër që dhunon pronën e qytetarëve të këtij vendi. E mbani mend shumë mirë dhe po e përsëris përsëri, çfarë i tha Edi Rama këtyre banorëve. Ju tha që nuk kanë para për dëmshpërblim, sepse paratë do ti çojnë për kopshte, çerdhe dhe spitale. Por çfarë ndodhi dy javë më pas?
Dy javë më pas vërtetua që ato para nuk shkonin për shërbim publik, por shkonin në xhepin e Edi Ramës dhe shkonin në kompani offshore. Pse banorët e Unazës së Re sot janë simbol i protestës dhe janë simboli i forcës në këtë vend? Sepse këto banorë që janë sot këtu kanë shkatërruar dhe kanë çmontuar këtë qeveri korruptive të Edi Ramës. Këta banorë këtu vërtetuan përpara çdo shqiptari atë ç’ka ne kemi thënë përditë, që Edi Rama është një Kryeministër i korruptuar. Vërtetuan përpara çdo shqiptari që këto shtëpi këtu nuk prisheshin për shërbim publik, por prisheshin për interesa klienteliste të Edi Ramës.
Sot nuk jemi të kënaqur që Edi Rama shkarkon një drejtor apo një ministër të ti hequr përgjegjësitë. Përgjegjësi i vetëm është Edi Rama. Çdo drejtor, çdo ministër ka vepruar me porosi të drejtpërdrejtë të Edi Ramës.
Sot Edi Rama duhej të ishte në burg. Damian Gjiknuri, Afrim Qendro dhe të gjithë ata që kanë tentuar të shkatërrojnë pronën e shqiptarëve.
Edi Rama është një Kryeministër antikombëtar dhe këtë e vërtetoi dhe sot. Sot u tall me shqiptarër, u tall me Ministrinë e Jashtme. E patë sot bëri ministër të Jashtëm, një zv.ministër , i cili nuk plotëson kriteret e Kushtetutës për të qenë ministër, Edi Rama ja delegon postin e ministrit a thua se ky është shteti privat i Edi Ramës, Edi Rama me këtë veprim ka cënuar shqiptarët, ka cënuar kombin sepse Ministria e Jashtme nuk mund të jetë oreksi seksual i Edi Ramës, Ministria e Jashtme duhet të jetë interesit kombëtar i shqiptarëve, ndaj sot jemi të gjithë të bashkuar dhe ju ftoj të gjithëve ti bashkoheni protestës së opozitës sepse tani protesta e opozitës nuk është më vetëm e partive politike, protesta e opozitës është protestë kombëtare, është për varfërinë, është për shkeljen e Kushtetutës, është për paligjshmërinë e Edi Ramës dhe është për dhunimin e pronës që ju ka bërë juve Edi Rama, por jo vetëm juve këtu, por edhe atyre të Bulevardit të Ri.
Ju bëj thirrje të bëhemi të gjithë bashkë, të marrin shembullin e banorëve të Unazës së Re, si modelin e sakrificës, si modelin e shpresës, modelin e bashkëpunimit dhe modelin e rezistencës përballë kësaj qeverie, sepse për 81 ditë nuk kishte skemë policie, nuk kishte skeme qeverie që ti përçante, këto sot janë bashkuar, por siç janë bashkuar banorët e Unazës së Re do të bashkohen të gjithë banorët e këtij vendi sepse sot ka një fatkeqësi kombëtare që e ka emrin Edi Rama.