Banorët e Unazës së Re nuk i janë trembur arrestimeve nga policia dhe kanë dalë sërish në protestë mbrëmjen e sotme, ku numri i protestueve është rritur ndjeshëm në krahasim me netët e tjera.
Protesta e banorëve të Unazës së Re ka filluar prej afro një viti në mbrojtje të shtëpive të tyre nga projekti për ndërtimin e rrugës.
Ditën e djeshme policia arrestoi tre persona për “bllokim rrugësh” ndërsa ditën e sotme banorët zhvilluan një protestë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku kundërshtuan veprimin e autoriteteve.
Si çdo mbrëmje, edhe sot, banorët kanë shpalosur pankarta si dhe kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë dhe bashkisë së kryeqytetit kundër projektit që prek banesat dhe bizneset e tyre, një projekt të cilin ata e konsiderojnë si korruptiv.
Në mbështetje të banorëve kanë qenë edhe disa ish-deputetë të opozitës, Klevis Balliu, Oriola Pampuri dhe Xhemal Gjunkshi, që kanë ftuar të gjithë qytetarët të mbështesin këta banorë të cilët po luftojnë për shtëpitë e tyre.