Barça del nga kriza

Barcelona po përjeton një prej momenteve më të vështira të mundshme. Vetëm pak javë më parë, askush nuk mund ta imagjinonte që katalanët do të ishin në krizë totale. Rezultatet negative të ndeshjeve të fundit kanë bërë që blaugranat të eliminohen nga Champions ku cilësoheshin favoritë dhe të vënë në diskutim titullin në Spanjë, që pak javë më parë dukej thuajse i sigurt. Barça ka shansin të rikthehet te suksesi, prej ndeshjes me Deportivo La Coruna-n dhe trajneri Luis Enrique paralajmëron të tijtë. “Nuk kemi kujtime të mira nga dy përballjet e fundit me Deportivon. Flasim për një skuadër që ka arritur të barazojë dy herë në “Camp Nou”. Ata kanë kualitetin që të na vendosin në vështirësi”, u shpreh Enrike.
Drejtuesi i stolit katalan shpreson te reagimi i skuadrës së tij. “Të gjithë i kemi përjetuar situata të ngjashme me këtë, duhet të jemi në gjendje që t’i kalojmë vështirësitë nëpërmjet ideve tona të futbollit. Jemi mësuar të luajmë nën presion, ajo që duhet të bëjmë është të përqendrohemi më pak te kundërshtarët dhe të shënojmë më tepër. Sjellja e lojtarëve të mi më bën optimist”, tha ai.
Kriza e Barcelonës duket e lidhur me gjendjen fizike të futbollistëve, ndërsa Luis Enrique i tregon lojtarëve të tij rrugën për të hedhur pas shpine momentin negativ.
“Duhet të gjejmë zgjidhje për atë që po na ndodh, edhe pse nuk ekziston vetëm një shkak. Jemi në vështirësi dhe për të dalë nga kjo situatë, duhet të bëjmë atë që kemi bërë më parë, pra të jemi superiorë përballë kundërshtarëve. Objektivat tanë nuk kanë ndryshuar. Nëse do t’i fitojmë të gjithë ndeshjet, në fund do të jemi ne ata që festojnë”, përfundoi trajneri i Barcelonës.
Ndërkohë, mbrojtësi i skuadrës së Borussia Dortmund, Mats Hummels vazhdon të mbetet në axhendën e Barcelonës. Lajmi konfirmohet nga gazeta gjermane “Bild” ku sipas saj drejtori i përgjithshëm i blaugranave për merkaton jashtë Spanjës, Ariedo Braida, ka nisur punën që të vendosë në dispozicion të trajnerit Luis Enrique për sezonin e ardhshëm 27-vjeçarin. Hummels ka një kontratë me verdhezinjtë që përfundon në qershor të 2017 dhe nga ana tjetër duket se dhe dëshira e vet lojtarit është të ndryshojë skuadër. 32 milionë euro është shuma që duhet të paguajë Barcelona nëse dëshiron të bëjë të mundur transferimin në “Camp Nou”  të shtatlartit të kombëtares gjermane.
Për Mats Hummels janë në garë dhe dy skuadra nga Premier League,  Man.United  dhe Arsenal. Drejtuesit e Barcelonës duket se për sezonin e ardhshëm kanë ndërmend një ristrukturim të skuadrës, ku sigurisht mbrojtja mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm ku rinovimi me elementë cilësorë është mëse i nevojshëm. Gjatë verës nga blaugranat pritet të largohen Bartra dhe belgu Vermalen, të cilët nuk kanë arritur të bindin trajnerin Luis Enrique me paraqitjet e tyre. Ndërkohë që Pique dhe Mascherano me shumë gjasa do  të qëndrojnë.

Exit mobile version