Luis Enrique vazhdon eksperimentet te Barcelona, por nëse ndaj Avales dështoi, këtë herë “blaugranat” nuk hasën probleme përballë Leganes. Pas 7 golave ndaj Celtic në Champions, katalanët fituan me goleadën 5-1 në fushën e debutuesve të këtij sezoni në La Ligan spanjolle. Pas avantazhit me Lionel Mesin në të 15-ën, Barcelona e mbylli praktikisht ndeshjen prej fraksionit të parë të lojës. Luis Suarez dyfishoi shifrat në të 31-ën, ndërsa braziliani Neymar realizoi golin e tretë në minutën e 44-t.
Barça vazhdoi bombardimin e portës së Leganes, me Mesi-n që në të 55-ën realizoi golin e dytë personal, këtë herë me 11-metërsh, ndërsa Rafinha shënoi golin e pestë të katalanëve.
Rrjeta e nderit për debutuesit u shënua nga Gabriel, 10 minuta përpara fundit të ndeshjes. Me këtë sukses, Barcelona ngjitet në kuotën e 9 pikëve, duke arritur Realin e Madridit në krye, me “Los Blancos” që do të luajnë të dielën në mbrëmje në fushën e Espanyol.
Në këtë ndeshje në transfertë, trajneri i Barcelonës kishte vendosur të eksperimentonte me një rreshtim të ri 3-4-3, me Pike, Umtiti dhe Maskerano të rreshtuar përkrah njëri-tjetrit, ndërsa Alba e Rafinja vepronin si mesfushorë krahu. Por katalanasit vuajtën vetëm në minutat e para, pasi kur Mesi shënoi golin e avantazhit në minutën e 15 dhe Suarez dyfishoi rezultatin në minutën e 31-të, ndeshja praktikisht u mbyll.