Barça kërkon Taulant Xhakën

Luis Enrique hedh sytë nga Taulant Xhaka. Ky është titulli i një lajmi sensacional për tifozët shqiptarë i portalit “Sportskeda”, që u referohet zërave të merkatos. Diçka e vështirë për t’u besuar, por që gjithsesi mbetet intriguese nga argumentet që paraqet ky portal. Barcelona ka patur probleme të vazhdueshme në krahun e djathtë, ku është aktivizuar veçanërisht Sergi Roberto, por edhe Alex Vidal. Mirëpo Enrique dëshiron me çdo kusht të ketë një tjetër alternativë të besueshme në këtë pozicion për fazën mbrojtëse dhe sheh te lojtari kuqezi profilin e futbollistit që i duhet për këtë rol.
Taulant Xhaka, sipas “Sportskeda”, është një lojtar që mund të luajë edhe në mesfushë në rolin e shkatërruesit dhe i ka treguar cilësitë e tij me Baselin sidomos në përballjet e Championsit. Statistikat e shqiptarit janë të krahasueshme me ato të Ngolo Kante të Chelsea-t.
Kartoni i 25-vjeçarit, vlerësohet nga 20 deri 25 milionë euro dhe tashmë Enrique, sipas “Sportskeda”, thjesht duhet të bëjë ofertën e duhur për ta patur në dispozicion të tij mesfushorin polivalent shqiptar. Pas vëllait të vogël Granit, edhe Taulanti përfundon në merkaton e klubeve të mëdha.

Exit mobile version