Barcelona vazhdon të ndjekë me vëmendje Elseid Hysajn. Mbrojtësi shqiptar i Napolit është një nga objektivat kryesorë të skuadrës blaugrana për merkaton e verës së ardhshme dhe nëse dy klubet arrijnë marrëveshjen për vlerën e transferimit, gjasat janë që Hysaj të bëjë hapin e madh në karrierë duke kaluar në “Camp Nou”. Sipas “Calciomercato.it”, 22-vjeçari nga Shkodra ka përfunduar prej kohësh në radarët e Barcelonës dhe falë formës që ka shfaqur me Napolin gjatë 2 sezoneve të fundit, te Barça janë të bindur se afrimi i Hysajt do të ishte një investim shumë i mirë për të blinduar krahun e djathtë të mbrojtjes.
Sapo ka mbushur 23 vjeç, por në këto vite mbrojtësi shqiptar ka treguar se ka aftësi të jashtëzakonshme dhe është gati për t’u bërë pjesë e një skuadre më të madhe se Napoli. Presidenti i klubit të kaltër Aurelio de Laurentis, synon të përfitojë shumë para nga shitja e Hysajt, ndërkohë që i duhet të vendosë, se kë duhet të shesë mes mbrojtësit shqiptar dhe algjerianit Ghoulam, i cili luan në krahun e majtë të mbrojtjes dhe kërkohet nga Bayern i Mynihut. 2 ndeshjet ndaj Realit të Madridit në raundin e 1/8-ave të Champions League do të shërbejnë si një vitrinë për Hysajn për të treguar edhe një herë vlerat e tij, me shpresën se sezonin e ardhshëm do t’i sfidojë Los Blancos në La Liga duke mbajtur veshur, fanellën blaugrana të Barcelonës.