Barcelona nuk heq dorë nga Phillipe Coutinho. Klubi katalanas duket tejet i vendosur për të siguruar shërbimet e brazilianit. Në tre tentativat e para ata kanë dështuar, por pavarësisht kësaj, vazhdojnë të insistojnë në transferimin e sulmuesit. Blaugranat këtë herë kanë ofruar 150 milionë euro për yllin e Liverpoolit. Braziliani e dëshiron kalimin te Barcelona, por pengesë duket se janë drejtuesit e skuadrës ku ai luan, të cilët nuk duan që ta shesin lojtarin. Në Anfield situata mes palëve duket e tensionuar edhe pse trajneri i “The Reds” Jurgen Klopp, i pyetur nëse ka një përkeqësim të marrëdhënieve mes palëve, preferoi t’i shmangej përgjigjes, ndërkohë që nga ana tjetër, Coutinho vazhdon të qëndrojë larg stërvitjes për shkak të një dëmtimi. 150 milionë euro, kjo është oferta e katërt e katalanasve në drejtim të skuadrës angleze.
Pas vështirësive që po hasin për transferimin e Philippe Coutinho në Katalonjë, drejtuesit e Barcelonës duket se kanë ndërruar objektiv. Synimi i tyre tani duket se është sulmuesi anësor i Napolit dhe kombëtares italiane, Lorenco Insigne. 26-vjeçari është në rritje të vazhdueshme dhe në dy sezonet e fundit është shndërruar në një pikë referimi, si për Napolin ashtu edhe për kombëtaren e Venturës.
Ashtu si Neymar, edhe Insigne preferon të niset nga e majta, ndërsa shquhet për depërtimet e tij në qendër dhe goditjet e ‘hidhura’ drejt portës, duke shënuar disa herë gola nga ai pozicion. Katalanasit kanë ofruar rreth 60 milionë euro për kartonin e Insignes, ndërsa ende nuk dihet nëse oferta do të pranohet nga napolitanët, por largimi i tij do t’i bënte vend në formacion belgut Mertens, i cili përfundoi në stol me rikthimin e Milik, pavarësisht formës mjaft të mirë që ka treguar. Në përfundim të ndeshjes ndaj Nicës, i pyetur në lidhje me një transferim të mundshëm te Barça, Insigne u përgjigj shkurt: “Tani jam mirë te Napoli”!
Me merkaton që po shkon drejt fundit dhe katalanist presin një përgjigje, ku shpresojnë të jetë pozitive. Situata vazhdon të mbetet e njëjtë edhe për Ousmane Dembele. Për 20-vjeçarin Borussia Dortmund ka fiksuar shifrën, 150 milionë euro për të lejuar largimin e lojtarit.
Shumë transferime janë kryer dhe shumë të tjera pritet të bëhen. Milan, Manchester City dhe Roma janë prej skuadrat më aktive gjatë këtij afati kalimtar, duke transferuar më shumë se nga pesë lojtarë. Neymar është lojtari më i shtrenjtë i kësaj vere dhe i historisë së futbollit, pasi për 222 milionë euro kaloi nga Barcelona në PSG. Por, edhe disa transferime të mëdha pritet të ndodhin në javën që kemi hyrë, me Barcelonën si protagoniste kryesore, sepse është afër që të transferoi tre lojtarë për më shumë se 300 milionë euro. “Sky Sports” ka publikuar listën prej 10 transferimeve që mund të ndodhin këtë javë.