“Barcelona e di mirë çfarë i bëmë Bajernit”, Mkitarian karikon Interin para duelit special

Interi ka kthyer fokusin te Liga e Kampioneve dhe te sfida ndaj Barcelonës, e vlefshme për gjysmëfinalen e parë që do të luhet nesër në Katalonjë. Henrikh Mkitarian e ka komentuar këtë takim në mikrofonat e UEFA-s, duke theksuar vështirësitë që e presin Interin.

“Nuk do të jetë e lehtë, sepse ata kanë talente të mëdha, por edhe lojtarë me shumë përvojë. Do të jetë shumë interesante, sepse gjysmëfinalet dhe finalet janë gjithmonë të bukura për t’u luajtur dhe për t’u parë. Shpresojmë të luajmë sa më mirë si në ndeshjen e parë, ashtu edhe në të kthimit dhe të arrijmë në finale.

Për ne, çdo ndeshje është shumë e rëndësishme. Do të përpiqemi t’i përballojmë ashtu siç bëmë kundër Bajernit, Fejenordit dhe skuadrave të tjera në fazën e grupeve, e pastaj do të shohim”, tha fillimisht Mkitarian.

INZAGI– “Marrëdhënia ime me të është shumë e mirë. E di kur duhet të jem serioz dhe kur mund të bëj shaka, njoh kufirin. Është një trajner shumë inteligjent, shumë miqësor dhe këtë e tregon si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Jam i lumtur që e kam njohur në këtë fazë të karrierës sime, sepse të mbërrija tek Interi në moshën 33-vjeçare nuk ishte e lehtë: në këtë moshë performanca bie, por jam shumë mirënjohës ndaj tij, sepse mund të vazhdoj të luaj dhe të tregoj cilësitë e mia, si për veten time, ashtu edhe për gjithë botën”.

OBJEKTIVAT– “Në fillim nuk është se isha në vështirësi, por nuk isha në formën time më të mirë. Ndeshje pas ndeshje jam përmirësuar dhe tani mendoj se jam në formën më të mirë. I falënderoj shokët e skuadrës dhe stafin që më kanë ndihmuar të arrij nivelin që isha mësuar të kisha. Është një sezon i vështirë: duam të fitojmë diçka sepse kemi një skuadër shumë të mirë”.

FËMIJËRIA– “Që i vogël, lumturia ime ishte të luaja futboll, për mua ishte gjithçka. Kisha gjithmonë buzëqeshje në fytyrë, isha gjithmonë i lumtur. Edhe sot jam personi më i lumtur në botë, sepse bëj atë që kam dashur të bëj që fëmijë dhe që e dua edhe tani.

Nuk kam luajtur për kombëtaren që prej katër vitesh, por kur luaja, e bëja gjithmonë me pasion, sepse për një vend si Armenia, të fitosh do të thoshte gjithçka. Në një klub është pak ndryshe, sepse ka shumë lojtarë që përfaqësojnë vendet e tyre. Unë isha një prej tyre dhe jam i lumtur që kam përfaqësuar Armeninë në Angli, Itali, Gjermani dhe Ukrainë”.

Exit mobile version