Skuadra e Barcelonës kërkon futbollistë, të cilët të jenë në gjendje të zëvendësojnë sa më denjësisht yjet e sulmit që ka aktualisht në përbërje dhe po planifikon të bëjë ndërhyrje të rëndësishëm në merkato. Sipas mediave gjermane, përfaqësuesit e klubit katalanas kanë kontaktuar me menaxherin e Ousman Dembele, 20-vjeçarit francez që luan te Borusia Dortmund. Lojtari shihet si një nga talentet e të ardhmes së futbollit botëror dhe ka shfaqur mjaft nga vlerat e tij në kampionatin gjerman.
Duke kërkuar që të evitojë konkurrencën e pritshme për të ardhmen, Barcelona ka përshpejtuar hapat për të siguruar që tani futbollistin, i cili i refuzoi një vit më parë, i bindur se nuk do të kishte aq shumë hapësira në “Kamp Nou”. Sipas “Bild”, Barcelona është gati të investojë deri në 90 milionë euro për futbollistin në fjalë, pasi e sheh si një prej emrave të së ardhmes së futbollit botëror.
Barcelona do të ushtrojë të drejtën e riblerjes së Gerard Deulofeut nga Evertoni për 12 milionë euro para 30 qershorit, datë kur skadon kjo kluazolë. Klubi katalanas më pas do të vendosë nëse do ta shesë talentin spanjoll që shkëlqeu te Milani gjatë sezonit që sapo u mbyll apo do ta mbajë nën urdhrat e Ernest Valverdes. Në çdo rast blaugranat do të dilnin të fituar ekonomikisht nga kjo lëvizje.
Atletico po planifikon rikthimin e Amath Ndiaye nga huazimi, pasi klubi madrilen e ka të pamundur të blejë futbollistë për shkak të pezullimit të merkatos nga FIFA. Los Colchoneros besojnë se talenti 20-vjeçar, i cili shkëlqeu te Tenerife në Segunda Division mund të jetë një alternativë e vlefshme në organikën e Simeones. Të paktën deri në janar, periudhë kur Atletico mund të ndërhyhë sërish në merkato.
Ka fituar dy Champions League me Realin dhe një titull në Primera Division, por nuk e ndjen veten në lartësinë e duhur për të qenë titullar në kombëtaren e Brazilit. Bëhet fjalë për Danilon, i cili e pranon se nuk e ka merituar vendin e titullarit te “Selecaon” edhe pse me Los Blancos është aktivizuar në 41 ndeshje për dy sezone në Primera Division. 25-vjeçari theksoi gjithashtu se është me fat që stërvitet nga një trajner i madh si Zinedine Zidane.