Barcelona shton ritmin në garën për të blerë italianin e PSG, Marco Verrati. Klubi katalanas në kërkim të një mesfushori me eksperiencë dhe talent e ka gjetur identikitin e lojtarit që kërkon, por tashmë duhet të bindë klubin parisien për ta lënë të lirë. Agjenti i lojtarit, Donato di Campli është takuar me drejtuesit e Barcelonës në ndeshjen e Chamions League kundër Juventusit dhe sipas mediave spanjolle, dëshira e lojtarit është e qartë, ai synon të nisë një eksperiencë të re në “Camp Nou” me fanellën blaugrana pas 5 sezoneve në hijen e Kullës Eiffel.
Në këtë mënyrë, topi kalon në këmbët e presidentit Jose Maria Bartomeu, i cili duhet të prezantohet në dyert e zyrës së kolegut Al Khelaifi me një ofertë joshëse pasi Verrati konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të PSG dhe largimi i tij nga skuadra mund të ndodhë vetëm në rastin e një oferte të parezistueshme. Aktualisht, situata ekonomike e Barcelonës nuk është një nga më të mirat pasi përveç pagave faraonike, klubi duhet të derdhë edhe 20 milionë euro shtesë për këstin e dytë të kartonit të Andre Gomes. Në këtë mënyrë, Bartomeu shpreson që pretendimi i Verratit për të përqafuar skuadrën katalanase ta vendosë nën presion klubin parisien për të ulur disi kërkesat edhe pse një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë të ndodhë brenda një kohe të shkurtër.