Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook lidhur me thirrjen nga Prokuroria si të pandehur të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha lidhur me akuzat për fonde të financuara nga lobim rus.
Bardhi ka renditur disa momente kur Prokuroria ka ngritur akuzat ndaj PD-së që kanë të bëjnë me momentet më të vështira ku ndodhej Rama, siç ishte çështja Tahiri për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, skandali i vëllait të Fatmir Xhafaj, apo kur o provua që Vangjush Dako bashkëpunonte me krimin për vjedhjen e votave në Durrës.
Deklarata e plotë
Akuza politike dhe qesharake, kundër Kryetarit të Opozitës dhe dy kolegëve të Partisë Demokratike z. Ristani dhe z. Dervishi, është përdorur nga prokurorët e tij të korruptuar, sa herë shefi i tyre politik Edi Rama ka patur një hall të madh dhe ka qenë e nevojshme shfokusimi i vëmendjes së qytetarëve nga skandalet e Kryeministrit të Avdylajve.
Të gjithë mbajnë mend se:
- Çështjen e nisën në kohën kur kërkohej arrestimi i Saimir Tahirit për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe Edi Rama pengonte prokurorinë të bënte detyrën, derisa e vuri atë nën kontroll të plotë.
- Çështjen e sollën në vëmendje kur doli në publik skandali i vëllait të Fatmir Xhafës, akuzuar po ashtu si trafikant ndërkombëtar droge, dhe u provua se Qeveria kishte manipuluar hetimet.
- Çështjen e risollën në vëmendje të opinionit publik, deri me deklarata të paprecedenta të prokurorisë, kur u provua bashkëpunimi i Vangjush Dakos për të blerë votat me një trafikant ndërkombëtar droge.
- Çështjen e rihedhin për konsum publik edhe tani, kur Edi Rama është faktuar se është organizatori i skemës së bashkëpunimit të Partisë Socialiste me krimin e organizuar.
Shqiptarët nuk janë budallenj, edhe pse 4 prokurorë të korruptuar, bashkë me urdhëruesin politik të tyre Edi Rama, i kujtojnë për të tillë! Budallenjtë e vetëm janë këta që nuk kanë kuptuar ende që kanë marrë fund, dhe detyrohen të bëjnë veprime të dëshpëruara.
Udhë e mbarë drejt humnerës që ju pret!