Bardhi: Largimi i Ramës objektiv i pandryshueshëm, protestat një mjet demokratik që nuk përjashtohen

• Objektiv i pandryshueshëm për opozitën është largimi i qeverisë së Edi Ramës, si mundësia e vetme për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit.

• Çdo mjet demokratik që sjell largimin e kësaj qeverie, përfshirë protestat popullore, është mundësi reale për ditët në vijim.

• Ministria e Drejtësisë ka vonuar për 1 muaj e gjysëm kërkesën e Prokurorisë oër autoritetet italiane, që të konfirmojnë se Edi Rama i Vaut të Dejës është dënuar si hajdut në Itali.

• Jemi drejt finalizimit të propozimeve për reformën zgjedhore. PS po tenton ta vonojë atë, pasi zbatimi i reformës sipas kushteve të Bundestagut, do të thotë zgjedhje të parakohshme.

INTERVISTA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM GAZMENT BARDHI NGA VAU I DEJËS

Pyetje: Cili është qëllimi i takimeve me strukturat e PD?

Gazment Bardhi: Janë takime të organizuara në dy degë të qarkut të Shkodrës, që vijnë pas takimeve të zhvilluara në Qarkun e Lezhës dhe Kukësit. Sigurisht, kemi bërë një bilanc me strukturat e partisë mbi zhvillimet politike gjatë vitit 2019 dhe, bashkërisht, kemi caktuar objektivat për vitin 2020.

Pyetje: Sapo ka nisur 2020, cili është plani i opozitës? Do të ketë rikthim të protestave edhe përse tërmeti ndryshoi axhendën?

Gazment Bardhi: Pa asnjë diskutim që objektivi gjatë vitit 2019 është i njëjti objektiv që kemi edhe për vitin 2020: largimi i qeverisë, jo si dëshirë e opozitës, por si e vetmja mundësi për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit.

Kjo qeveri e kapur në flagrancë në afera korruptive dhe në bashkëpunim me krimin, ka marrë peng të ardhmen e qytetarëve shqiptarë, ka marrë peng të ardhmen e të rinjve shqiptarë, duke detyruar pjesën dërrmuese të të rinjve të lënë vendin dhe të shkojnë në emigracion. Objektivi ynë politik për vitin 2020 është i njëjti objektiv që kemi pasur që në shkurt te vitit 2019.

Pyetje: A do t’u riktheheni protestave?

Gazment Bardhi: Pa asnjë diskutim, çdo mjet demokratik që sjell largimin e kësaj qeverie, përfshirë edhe protestat popullore, janë një mundësi reale për ditët në vijim.

Pyetje: A ka një datë konkrete?

Gazment Bardhi: Jo, nuk ka një datë konkrete për protestë. Sigurisht, kur të ketë një datë konkrete, ne do ta bëjmë publike. Është një vendim që merret nga Kryesia e partisë. Por, unë ju garantoj, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, që është një mjet demokratik, i cili nuk përjashtohet të aplikohet në ditët e ardhshme.

Pyetje: Keni bërë një denoncim për Vaun e Dejës, a keni informacion, nëse ka marrë prokuroria informacion rreth të shkuarës së tij? A ka PD të dhëna të tjera?

Gazment Bardhi: PD ka bërë publike të dhëna të plota që tregojnë që Mark Babani, i emëruari i Edi Ramës në bashkinë e Vaut të Dejës, është një hajdut i certifikuar me vendim gjyqësor nga autoritetet italiane. Unë gjej rastin t’i bëj apel Prokurorisë së Përgjithshme të zbatojë ligjin, të mos zvarrisë procedurat dhe të nxjerrë përfundimet bazuar në të gjitha informacionet që disponon. Në dijeninë time, është duke pritur letërporosinë që ka dërguar në Itali. Dua të sqaroj opinionin publik se kjo letërporosi dhe vonesa që po shkaktohet, ka ardhur për shkak të bllokimit nga Ministria e Drejtësisë. Pra, prej një muaji e gysëm, letërporosia e përgatitur nga Prokuroria e Përgjithshme nuk u është përcjellë autoriteteve italiane, duke sjellë zvarritje dhe duke lejuar një njeri në konflikt me ligjin, të ushtrojë funksion publik. Një hajdut i certifikuar, sot administron paratë e taksapaguesve të bashkisë së Vaut të Dejës.

Pyetje: A ka pasur ndërhyrje të drejtuesve të lartë?

Gazment Bardhi: Pa diskutim, Mark Babani është Edi Rama i Vaut të Dejës dhe, pa diskutim, Edi Rama do të përdorë çdo mjet për të mbrojtur kriminelët e emëruar në krye të bashkive.

Pyetje: Edhe sa dosje të tjera ka PD?

Gazment Bardhi: Ne kemi denoncuar jo më larg se dje, kandidatin e emëruar nga Edi Rama në bashkinë Mallakastër. Sigurisht, e kam thënë edhe më parë, kemi në proces verifikimi edhe kandidatë të tjerë të PS. Sapo të kemi dokumentacionin e plotë dhe të dokumentuar për secilin prej tyre, do ta ndajmë me opinionin publik.

Pyetje: Do të merrni pjesë në reformën zgjedhore?

Gazment Bardhi: Ne jemi duke punuar në mënyrë intensive për reformën zgjedhore. Kemi drejt finalizimit të gjitha propozimet tona. Sigurisht, që pyetja nuk shtrohet nëse do të marrim pjesë apo jo ne. Sepse ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore. Deri në këtë moment që flasim, pala tjetër, kundërshtari ynë politik, PS, nuk ka hedhur asnjë hap, duke tentuar të vonojë realizimin e reformës zgjedhore. Ju kujtoj që realizimi i reformës zgjedhore dhe, më pas, implementimi i reformës zgjedhore, do të thotë zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare janë kërkesë e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Opozita që është në Parlament bashkë me maxhorancën kanë bërë disa mbledhje dhe kanë bërë edhe disa propozime për reformën zgjedhore. Do t’u bashkoheni këtyre propozimeve?

Gazment Bardhi: Ne gjykojmë që çështjet e reformës zgjedhore janë çështje të partive politike dhe jo të komisioneve brenda kuvendit monist për këtë kemi bërë një propozim. Propozimet e kaluara në atë komision parlamentar për të cilin ju i referoheni, sigurisht, që nuk zgjidhin asnjë nga shqetësimet reale që kanë zgjedhjet në Shqipëri, nuk i japin zgjidhje lidhjes së krimit me politikën, nuk i japin zgjidhje përdorimit dhe kërcënimit dhe intimidimit të punonjësve të administratës. Pra, nuk i japin zgjidhje asnjë prej problemeve madhore që kanë zgjedhjet në Shqipëri. Ndërkohë, shumë shpejt, ne do të prezantojmë propozimet tona konkrete që adresojnë secilin prej shqetësimeve që kanë, realisht, shqiptarët dhe që pengojnë realizimin e zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe demokratike në Shqipëri.

Zoti Bardhi, SPAK dhe BKH po shkojnë drejt formësimit. Në gjykimin tuaj, mund të shpresojnë shqiptarët se do të ketë vënie para përgjegjësisë të zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe të hetimit të dosjeve të rënda që, deri më sot, nuk kanë marrë ndëshkimin e merituar.

Gazment Bardhi: Çështja e parë që kishte për shqyrtim struktura antikorrupsion, që kishte të bënte me disa zyrtarë të lartë, gjyqtarë, përfundoi, siç ju e patë, me mbyllje hetimesh dhe me pas, me rrëzim të këtij vendimi të SPAK nga gjykata. Personalisht, por edhe PD, i ka dhënë mbështetje të plotë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK-ut, e nxit Prokurorinë e Posaçme që të hetojë aferat korruptive dhe lidhjet e politikës me krimin. Dua të ripërsëris që, për të ruajtur imazhin e SPAK-ut, do të duhet që prokurorët, integriteti i të cilëve është vënë në pikëpyetje, ose për shkak se janë shërbëtorë të regjimit komunist, siç është drejtuesi i SPAK-ut, ose për shkak se janë vegla të Ulsi Manjës, siç është njëri prej prokurorëve i kapur në takim një ditë përpara votimit, do të duhet t’i hapin rrugë zgjedhjes së prokurorëve të rinj, me integritet që gëzojnë besimin e të gjithëve, për t’i dhënë imazhin e nevojshëm dhe besueshmërinë e nevojshme SPAK-ut.

Bardhi 1

Exit mobile version