Bardhi në Gjirokastër: Me zgjedhje të lira e të ndershme do t’i japim fund këtij pushteti të babëzitur

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, zhvilloi një takim me strukturat e forcës politike që ai përfaqëson në qarkun e Gjirokastrës.

Sipas numrit dy të selisë blu, me zgjedhje të lira e të ndershme, do t’i japim fund këtij pushteti të babëzitur, që nuk di të bëjë asgjë përveçse të vjedhë.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit

Qarku i Gjirokastrës duhet të ishte kryeqendra e zhvillimit ekonomik për jugun e vendit, por mungesa e investimeve, korrupsioni dhe paaftësia e qeverisë e kanë trajtuar këtë zonë si të dorës së dytë. Në 6 vjet kjo qeveri ka tradhëtuar interesat e qytetarëve, i ka varfëruar ata, i ka detyruar të largohen.

Me demokratët e Gjirokastrës, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës dhe Memaliajt, shprehëm shqetësimin se vazhdimi i kësaj situate do të sjellë shkretimin e mëtejshëm të qyteteve dhe fshatrave. Vetëm këtë vit në Universitetin e Gjirokastrës janë mbyllur 4 degë. Më pak të rinj që studiojnë do të thotë më pak zhvillim, më shumë emigracion.

Bashkë me demokratët e përkushtuar të Gjirokastrës, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës dhe Memaliajt do ta ndryshojmë këtë realitet. Me zgjedhje të lira e të ndershme, do t’i japim fund këtij pushteti të babëzitur, që nuk di të bëjë asgjë përveçse të vjedhë. Qytetarët e Gjirokastrës, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës dhe Memaliajt meritojnë një qeveri që prioritet të vetëm ka mirëqenien e tyre.

2 1

Exit mobile version