• Proces i montuar politikisht në Gjykatën e Tiranës ndaj përfaqësuesve të opozitës që denoncuan përfshirjen e vëllait të ish-Ministrit Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj në trafikun e drogës.
• U paraqita në Gjykatë me vullnetin tim të lirë. Qëllimi është të intimidohen përfaqësuesit e opozitës për të mos denoncuar krimet në të cilat përfshihen individë me lidhje të forta politike.
DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI
Pyetje: Në një seancë të mëparshme Gjykata kërkoi që ju të shoqëroheshit për të dëshmuar për çështjen “Babalja”, në fakt çfarë ndodhi, ju erdhët me vullnetin tuaj, apo ju erdhi kërkesa për të mbërritur forcërisht nga Gjykata.
Gazment Bardhi: Jo. Nuk kam marrë asnjë kërkesë për t’u paraqitur forcërisht në Gjykatë, ashtu siç dëshmova në nisje të dëshmisë time sot, jam njohur nëpërmjet medias me nevojën që kishte Gjykata që unë të paraqitesha për të dëshmuar në këtë proces.
Në lidhje me procesin kam marrë vetëm një njoftim për thirrjen time si dëmshitar në datën 24 Korrik 2019 ku për shkak të një aktiviteti politik tek Teatri Kombëtar e kam patur të pamundur të paraqitem, më tej në asnjë seancë tjetër gjyqsore unë nuk kam patur asnjë njotim për të dëshmuar në këtë proces. Nëse do të kisha patur do të kisha ardhur në çdo moment kur do thirresha nga gjykata.
Për shkak se kjo çështje u bë mediatike dhe unë mora njoftim nga media që do të duhej të paraqitesha në Gjykatë si dëshmitar në 4 shtator, ora 12.00, me vullnetin tim të lirë, jam paraqitur për të dëshmuar në Gjykatë.
Pyetje: Pati një përballje mes jush dhe të dyshuarit Fredi Alizoni në lidhje me pyetjen; A e keni takuar apo jo Fredi Alizotin?
Gazment Bardhi: Jo, nuk pati asnjë përballje. Zotëria pretendoi që rastësisht jemi takuar, në fakt është e gënjeshtërt. Unë atë zotëri e shikoja për herë të parë në sallën e Gjyqit dhe nuk jam takuar kurrë me të. Ndryshe nga rasti i shtetasit Albert Veliu të cilin, siç shpjegova në Gjykatë jam takuar darkën e ditës kur ne kemi bërë denoncimin publik mbi përfshirjen në trafik droge të vëllait të Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj.
Pyetje: Më shumë se një vit nga “Dosja Babale” e cila shkundi politikën dhe bëri mjaft zhurmë, çfarë mendoni ju z.Bardhi tashmë që u thirrët edhe si dëshmitar për “Dosjen Babalja”?
Gazment Bardhi: Unë mendoj se çdo denoncim që ka bërë Partia Demokratike, për përdorim politik nga Prokuroria e asaj çështje ishte me qëllimin e vetëm, të mbrojtjes së vëllait të ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, vijon sot e kësaj dite.
Ju jeni gazetarë që ndiqni veprimtarinë e Prokurorisë dhe të Gjykatës. Ka patur një çështje të regjistruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për përfshirje në trafik droge të shtetasit Agron (Geron) Xhafa, dhe sot që ne flasim, nuk ka asnjë rezultat mbi këtë hetim, sikundër, për shkak të denoncimit të Partisë Demokratike, dhe veprimit të Ligjit Antimafia, Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke qenë se shtetasi Agron (Geron) Xhafaj ishte subjekt i ligjit antimafia, deklaroi asokohe që ka nisur një hetim pasuror ndaj shtetasit Agron (Geron) Xhafa, në zbatim të Ligjit Antimafia.
Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit askush prej nesh nuk di çfarë po bëhet me këtë hetim pasuror. A i ka rezultuar prokurorisë se pasuria e vëllait të ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafa është vënë apo jo nga veprimtaria kriminale si trafikant droge apo anëtar i një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafik droge.
E gjitha kjo provon edhe njëherë se ky proces që zhvillohet në Gjykatën e Tiranës është një proces i montuar politikisht, ndaj denoncuesve dhe përfaqësuesve të opozitës që denoncuan këtë rast.
Qëllimi është të intimidojnë përfaqësuesit e opozitës për të mos denoncuar krimet në të cilat përfshihen individë me lidhje të forta politike, ndërkohë që në thelb të të gjithë punës së organit të prokurorisë është pikërisht garantimi i pandëshkueshmërisë për persona që gëzojnë mbështetje politike të qeverisë aktuale, siç është edhe vëllai i ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.