Bardhi: Rezoluta e Kongresit të PPE ishte e qartë! Shqetësimet e partnerëve europianë kanë tmerruar Edi Ramën

Gazment BARDHI

Rezoluta e Kongresit të Partisë Popullore Europiane, ishte e qartë: Shqipëria duhet të sigurojë funksionimin e duhur të Gjykatës Kushtetutese dhe se pret një vendim të shpejtë dhe final nga Gjykata Kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

EPP ripërsëriti qëndrimin e Bundestagut se blerja e votave dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është e papranueshme për standartet europiane, dhe bën thirrje për rezultate të prekshme dhe në kohë të hetimit të suksesshëm të përgjegjësve, përfshirë dhe politikanët, zyrtarët e shtetit dhe grupet kriminale që janë përfshirë në blerjen e votës dhe krime të tjera elektorale gjatë zgjedhjeve.

Janë ekzaktësisht këto shqetësime të partnerëve europianë, që kanë tmerruar Edi Ramën dhe prandaj tenton me çdo çmim të kap Gjykatën Kushtetuese dhe drejtësinë. Me një drejtësi të pavarur, ai dhe banda e tij që vodhën zgjedhjet, do të ishin në burg.
-*-

Më poshtë, teksti i plotë i Rezolutës së Partisë Popullore Europiane, partia më e madhe në Parlamentin Europian:
Rezoluta e Kongresit të Partisë Popullore Europiane:

• Duke mbajtur parasysh përfundimet e Këshillit Europian për Shqipërinë në 17-18 Tetor 2019 dhe Raportin e OSBE/ODIHR të 5 Shtator 2019;

• Duke njohur përkushtimin e fortë dhe të palëkundur të Partisë Demokratike të Shqipërisë (PDSH) për integrimin e Shqipërisë në Europë;

• Duke mbështetur angazhimin e BE për procesin e zgjerimit, mbi bazën e plotësimit të kritereve të anëtarësimit nga vendet aplikuese;

• Duke nënvizuar rolin mbështetës që luan procesi i integrimit për reformat, dhe duke mirëpritur përkrahjen që ky proces ka nga qytetarët e Shqipërisë;
Partia Popullore Europiane:

1. Duke vlerësuar se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike, nxit partinë në pushtet dhe opozitën në Shqipëri të ndërmarrin të gjitha përpjekjet për të tejkaluar menjëherë këtë krizë të thellë politike përmes dialogut.

2. Risjell në vëmendje se adoptimi konsensual nga partitë politike, i një reforme elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR që shtron rrugën drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përfaqëson një kusht të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe integrimin drejt BE-së.

3. Duke rikujtuar theksin e përsëritur nga ana e OSBE/ODIHR, të rëndësisë që ka vullneti politik për të garantuar zbatimin e të gjitha kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, bën thirrje për zbatimin e reformës elektorale, në dobi të demokracisë dhe të funksionimit të institucioneve demokratike qendrore dhe lokale në Shqipëri.

4. Shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të sigurojë funksionimin e duhur të Gjykatës Kushtetutese dhe Gjykatës së Lartë duke i plotësuar vendet e tyre me gjyqtarë; pret një vendim të shpejtë dhe final nga Gjykata Kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

5. Thekson se blerja e votave dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është e papranueshme për standartet europiane, dhe bën thirrje për rezultate të prekshme dhe në kohë të hetimit të suksesshëm të përgjegjësve, përfshirë dhe politikanët, zyrtarët e shtetit dhe grupet kriminale që janë përfshirë në blerjen e votës dhe krime të tjera elektorale gjatë zgjedhjeve.

6. Shpreh shqetësim të thellë për fenomenin e vazhdueshëm të personave me rekorde kriminale që kandidohen për poste në institucione apo emërohen si funksionarë publikë në shkelje të hapur të “Ligjit të Dekriminalizimit” dhe bën thirrje për zbatim pa ekuivoke të ligjit, dhe largimin nga detyra të zyrtarëve që e kanë shkelur atë.

7. Nxit Shqipërinë që të ngrejë Strukturën e specializuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar; bën thirrje për nisjen e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar për vepra të ndëshkueshme nga procesi i vettingut.

8. Thekson domosdoshmërinë për rezultate bindëse në luftën kundër kultivitimit masiv dhe trafikimit të kanabisit dhe luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave; shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të kryejë hetime aktive, ndjekje penale dhe dënime për korrupsion dhe krim të organizuar duke nisur dhe përfunduar procedime kundër të gjithë autorëve përfshirë dhe politikanë dhe zyrtarë të lartë.

9. Bën thirrje për progres të prekshëm në reformën e administratës publike, si një nga çështjet kyçe për Shqipërinë në rrugën e saj për integrimin në BE.

10. Mbështet Partinë Demokratike të Shqipërisë në përpjekjet e saj për të adresuar shqetësimet legjitime dhe aspiratën Europiane të popullit shqiptar.

Exit mobile version