Bardhi: Sahit Dollapi është rrëmbyer, qytetarët nuk largohen nga Drejtoria e Policisë pa u liruar

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi u shpreh për mediat se, Sahit Dollapi është rrëmbyer nga policia. Ai tha se, qytetarët nuk do të largohen nga Drejtoria e Policisë derisa të lirohet Sahit Dollapi.

Edhe pse po arrin mesnata protestuesit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike duket se nuk kanë ndërmend të largohen nga Drejtoria e Policisë deri në lirimin e Sahit Dollapit, sekretarit organizativ të PD, i cili u dhunua nga efektivët e forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe më pas u shoqërua.

“Nuk ka rëndësi se sa do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu, rëndësi ka që me urdhër politik janë dhunuar qytetarë dhe protestues, sekretari organizativ i PD. Ata do të marrin përgjigjen e merituar.

Ne kemi bërë protestë paqësore, policia është kthyer në organizatë kriminale. Ka rrëmbyer sekretarin organizativ të PD, gjatë protestës ai ka mbrojtur policinë. Ai është pika e kontaktit mes protestuesve dhe policisë dhe duhet të bashkëpunonte me të, por në vend që të bashkëpuninin me të e kanë dhunuar”, është shprehur për mediat Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi.

Exit mobile version