“Barkderrat” e ndershëm që prishin darkat e Pjerinit

Nga Marash LOGU

Ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, për 12 vite, ndër të cilat 2 vite si drejtor i Policisë Tiranë dhe Zv.drejtor i përgjithshëm i Policisë, Pjerin Ndreu (foto 1) ofendoi sot ish-kolegët e tij me një gjuhë pak të thuash “rrugaçërore”. Policë barkderrë apo me bark të fryrë nga birrat i quajti kryebashkiaku në detyrë i Lezhës tre punonjësit e Policisë së Shëngjinit, të cilët i kishin prishur mbrëmjen, duke kërkuar veçse zbatimin e ligjit me përpikëri. Ligj, të cilin ish-polici Ndreu, me mendësinë e bajraktarit të zonës, mendon se e bën vetë.

Sinqerisht, kur lexova lajmin se tre policë në një qytezë të vogël, siç është Shëngjini, kishin bërë një kallëzim penal për disa persona, ku përfshihej edhe Pjerin Ndreu, ndjeva respekt dhe nderim për ata policë. Për faktin e thjeshtë se në këtë vend pakkush guxon të nxjerrë gjysmë fjale kundër pushtetit, e aq më pak një punonjës policie që kallëzon një drejtues lokal të partisë-shtet. Por, po aq i pështirë u ndjeva kur lexova reagimin e ish-policit Ndreu që fliste gjithë urrejte dhe përçmim ndaj ish-kolegëve të tij.

Megjithëse, sot Edi Rama u përpoq ta distanconte veten nga gjuha e Pjerinit, në fakt fjalën barkderr për herë të parë në 2013 e ka përdorur vetë Rama. Jo vetëm kaq, por nën qeverisjen e Edi Ramës, në kohën kur ministër ishte Sandër Lleshaj, Policia e Shtetit nxorri një urdhër (foto 2) për të shmangur nga shërbimi në vende të dukshme policët ” bark dërra”. Termi pra, nuk është shpikje e Pjerinit, por mendësia e Ramës për Policinë, e cila mund të gjendet në fjalë e letra zyrtare të shtetit shqiptar gjatë qeverisjes së tij.

Prandaj, mos i bini shumë në qafë Pjerinit për reagimin ndaj ish-kolegëve të tij. Ai e di se neni 236 i Kodit Penal (foto 3) për rastet e kundërshtimit të punonjësve të Policisë në bashkëpunim/me dhunë parashikon dënim maksimal deri në 7 vjet burg, ndaj me të drejtë është i shqetësuar. Ai është pra, një njeri në pikë të hallit me ligjin. Ama, përgjegjësinë kërkojani shefit të Pjerinit, i cili jo vetëm shan e përçmon policët, jo vetëm i ka braktisur përballë kriminelëve, por edhe ju ka ndërsyer fodullët e tij me pushtet anembanë Shqipërisë.

2087834

Exit mobile version