Barometri i Ballkanit: Shqipëria me taksat më të larta dhe me bizneset më pesimiste në rajon

Bizneset serbe dhe ato shqiptare janë më pesimistet sipas Barometrit të Ballkanit të Biznesit 2016, publikuar së fundmi nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC), një platformë bashkëpunimi rajonale. Në një shkallë nga 0 në 100, pikësimi i Shqipërisë është 51 dhe ai i Serbisë 48, dy më të ulëtit në rajon, nga 56 që është mesatarja e Europës Juglindore. Në raport me një vit më parë, tregu ka mbetur i pandryshuar për Shqipërinë, ndërsa është rritur lehtë për Serbinë. Më optimistët në Ballkan janë bizneset e Kosovës të ndjekura nga Kroacia e Mali i ZI. Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet që kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, ku tatim fitimi është 15%, nga 9-10% në shtetet e tjera, po ashtu dhe TVSH dhe sigurimet shoqërore. Mjedisi me taksa të larta duket se i ka bërë bizneset më pesimiste për aktivitetin e tyre. Sipas barometrit, për situatën ekonomike, 48% e bizneseve mendojnë se është përkeqësuar, ndër përqindjet më të larta në rajon, së bashku me Bosnjën dhe Serbinë. Vetëm 21% e sipërmarrjeve shqiptare mendojnë se është përmirësuar. Bizneset shqiptare janë më optimiste për të ardhmen, me 34% që mendojnë se situata ekonomike në 12 muajt e ardhshëm do të përmirësohet dhe 18% që do të përkeqësohet, ndërkohë që është më i lartë numri i tyre që mendojnë se do të qëndrojë e pandryshuar, me 43%. Klima e investimeve paraqitet më pozitive, me 41% të bizneseve që mendojnë se është përgjithësisht një vend i mirë për të investuar. Pjesa më e madhe e biznesee shqiptare, 40%, kanë deklaruar se numri i punonjësve të tyre pritet të qëndrojë i pandryshuar në 12 muajt në vijim, 33% presin të rritet dhe 24% të ulen. Sipërmarrjet shqiptare kryesojnë në perceptimin pozitiv që kanë për hyrjen e vendit në BE, ku 78% e tyre mendojnë se kjo do të jetë një gjë e mirë për bizneset e tyre, nga 54% që është mesatarja e Europës Juglindore.

Kriza e borxheve

Ekonomia e vendit është përfshirë nga një valë e shtuar borxhesh këtë fillimvit, e nxitur nga kriza e sektorit të industrisë, e cila vuajti çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe klimën jo fort të përshtatshme të ambientit të brendshëm të biznesit. Ende pa u parë rezultatet e pastrimit të 60 miliardë lekë borxhe qeveritare të prapambetura të krijuara para 2013-s, mungesa e likuiditetit po shtrihet si një merimangë në të gjithë kapilarët e ekonomisë. Fenomeni ka përfshirë edhe qeverinë, e cila në fund të 2015 ka krijuar detyrime të reja ndaj kompanive private të kontraktuara për punë publike dhe rreth 10 milionë euro. Nga ana tjetër, lista e borxhlinjve të këqij në tatime vetëm për tre muajt e parë është shtuar me 1366 subjekte të reja, teksa ekstraktet e QKR janë tejmbushur me sekuestro nga shoqëritë përmbarimore për shkak të detyrimeve që kanë ndaj bankave dhe të tretëve. Sistemi bankar po kërcënohet nga një valë e re kredish të këqija, si rrjedhojë e shitjeve nën kosto në sektorin e industrisë. Banka e Shqipërisë ka lajmëruar se, vetëm nga falimenti i kompanisë Kurum borxhet e kreditë e këqija mund të rriten me 1 pikë përqindje. Detyrimet zinxhir në sektorin e industrisë arritën në 1 miliard dollarë, ku kryesojnë kompanitë ARMO me 595 milionë dollarë dhe Kurum me 375 milionë dollarë. Ndërsa qindra kompani të sektorit të industrisë minerare dhe naftës janë duke punuar me humbje. Disa prej tyre kanë shpallur falimentin dhe të tjera janë duke kërkuar blerës. Për rrjedhojë, ndaj kompanisë publike së nxjerrjes së naftës, Albpetrol është akumuluar një detyrim prej 60 milionë erosh, nga mospërmbushja e detyrimeve kontraktore në zinxhirin e sektorit. Ky zinxhir borxhesh duket se ka prekur edhe pjesën më vulnerabël, punonjësit e kompanive, të cilët këto ditë janë hedhur në protesta për pagat e prapambetura. Në sektorë të tjerë, kriza e borxheve është thelluar edhe nga mungesa e likuiditetit. Rënia e konsumit ka ulur të ardhurat për kompanitë, të cilat po hasin së fundi vështirësi në shlyerjen e faturave. Gelas Yzo, nga shoqëria përmbarimore EPSA, pohoi se kohët e fundit është shtuar ndjeshëm ekzekutimi me forcë i arkëtimeve biznes me biznes edhe për faktin se fatura e TVSH është titull ekzekutiv që prej vitit të kaluar. Redona Sokoli, një ekonomiste në biznesin e pjesëve të këmbimit, pohoi se këtë vit edhe klientët seriozë po hasin vështirësi në likuidimin e furnizimeve sipas kontratave. Ajo shpjegon se ekzekutimi nga përmbarimi i faturave ka kosto të larta. Kriza e borxheve është thelluar edhe në sektorin e ndërtimit. Hajredin Fratari nga Konfindustria, pohon se nga anketimet e shoqatës borxhet që kompanitë e ndërtimit i kanë njëra-tjetrës dhe zinxhirit të sektorëve i kalojnë të 200 milionë dollarët aktualisht. Llazi Balliu, një kontabilist i vjetër thotë se, borxhet janë pasqyrë e zhvillimit të dobët të ekonomisë. Sipas tij, përmirësimi i konsumit është guri i themelit për të rigjeneruar rritjen, por kjo nuk ka sesi të ndodhë nëse burimet që financojnë konsumin nuk rriten.

Exit mobile version