Rrëfehet Josep Maria Bartomeu. Presidenti i Barcelonës në një intervistë për mediat foli për shumë tema, nga rinovimi i Neymar te zgjatja e kontratës me Messin e deri tek fakti që do t’i pëlqente një rikthim i mundshëm i Pep Guardiolës, te Barça. Fillimisht numri 1 i skuadrës blaugrana u ndal të fliste për yllin argjentinas. Sipas Bartomeut, Messi është thjesht një lojtar i jashtëzakonshëm, i aftë për të bërë gjithçka me topin. “Kam parë të luajnë në ‘Camp Nou’ emra të tillë si Maradona, Ronaldinho e Johan Cruyff, nuk kam arritur të ndjek dot vetëm Pele-në sepse kam qenë shumë i vogël, por për mendimin tim bota e futbollit nuk ka patur ndonjë lojtar tjetër të ngjashëm me Leo Messin, ai është pabesueshëm”, deklaroi presidenti i Barcelonës.
Më pas Bartomeu foli për çështjen e rinovimit të kontratës së 5 herë fituesit të Topit të Artë. “Neymar rinovoi për 5 vite, Messi nuk e ka bërë ende diçka të tillë, por po bisedojmë me të dhe në dy muajt e ardhshëm Leo do të hedhë firmën mbi kontratën e re”, theksoi në vijim 53-vjeçari. Për Bartomeun Messi është numri 1 absolut, ndërsa pas tij vjen Neymar. Presidenti i Barçës e pozicionoi vetëm në vendin e tretë Cristiano Ronaldon përsa i përket lojtarëve më të mirë të momentit, ndërsa pas portugezit përmendi emra të tillë si Bale, Suarez, Iniesta, Busquets e Griezmman, futbollistët më të mirë në botë luajnë në La Liga nënvizoi numri 1 i blaugranave. Bartomeu shprehu një mendim edhe për Pep Guardiolën për të cilin theksoi se do t’i pëlqente ta shihte sërish të ulur në stolin e Barcelonës.