Mark Bartra e ka ndjekur nga TV ndeshjen mes Borusia Dortmund dhe Monako, pasi vazhdon të jetë nën kontrollin e mjekëve pas ndërhyrjes kirurgjikale, të cilës iu desh t’i nënshtrohej pas sulmit terrorist ndaj autobusit të ekipit gjerman një natë më parë. Familjarët dhe klubi kanë konfirmuar se ai nuk do të jetë i pranishëm në stadium, ndërsa kanë saktësuar se situata e tij nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, përveç tronditjes së madhe që ka pësuar lojtari.
Por vetë spanjolli ka zgjedhur që nëpërmjet rrjeteve sociale të tregojë se vazhdon t’u mbetet pranë shokëve të skuadrës në një ndeshje që do të jetë shumë e veçantë për shkak të kushteve në të cilat po zhvillohet.
“Përshëndetje! Siç e shihni, unë jam shumë më mirë. Faleminderit për të gjithë mesazhet tuaja! U uroj sa më shumë forcë shokëve të skuadrës, fansave dhe Borusias për sonte”, shkroi Bartra dje pasdite në adresën e tij në Instagram.
Portieri zviceran i Dortmundit, Roman Byrki, tregoi momentin e shpërthimit për mediat zvicerane. Ai ishte ulur në autobuz ngjitur me Bartranë dhe e pa nga afër momentin kur shoku i tij i skuadrës u plagos. “Autobuzi u fut në rrugën kryesore dhe në atë moment u dëgjua një zhurmë e madhe, një shpërthim. Pas shpërthimit, të gjithë si të mundeshim u shtrimë në dyshemenë e autobuzit. Nuk e dinim se çdo të ndodhte më pas. Bartra u godit nga copat e xhamit që u thyen nga shpërthimi”, tha Byrki.