Kreu i PD, Lulzim Basha tha gjatë takimit me të rinjtë e Krujës se, prioritet i opozitës është arsimimi dhe punësimi i të rinjve.
Basha u shpreh ndër të tjera se, nuk mund t’iu premtojë atyre Universitet në Krujë, por do mundësojë financim për të gjithë ata që nuk kanë kushte ekonomike për të përballuar tarifat e shkollimit.
Lideri i opozitës premtoi se në programin e tij parashikohet që në fund të shkollës 10 mijë studentët më të mirë të marrin 1 vit stazh të paguar nga shteti.
“Deputetët e ardhshëm do të zgjidhen vetëm pas një konsultimi publik. E rëndësishme është që atë që kemi shkruar ta bëjmë realitet, pasi problemi në Shqipëri është se ligjet janë të mira, por nuk zbatohen kurrë. Po të zbatohen rregullat, zgjedhjet do të ishin bërë të lira. Ne propozojmë garë, konkurrencë, kushte të mira, barazi.
Gjithkush do të ketë mundësi të ndërtojë jetën e tij më mirë në vendin e vet. Duhet të bëjmë dy gjëra, e para të sigurojmë që rinia të dalë nga cikli arsimor e përgatitur për t’u futur në tregun e punës, dhe e dyta duhet t’iu krijojmë treg pune”, u shpreh Basha.
Nuk jam në gjendje të premtoj Universitetin e Krujës, por programi ynë parashikon financim të mundshëm, në mënyrë që asnjë krutan apo krutane të mos mbetet pa arsimin e lartë, për shkak se nuk kanë mundësi ekonomike.
Në fund të shkollës, 10 mijë më të mirët do të marrim 1 vit stazh të paguar nga shteti dhe do synojmë të kapim deri në 90% punësim të të gjithë studentëve. Për ne prioritet numër një është arsimi i rinisë dhe punësimi i tyre”, shtoi kreu i PD.